Sport

Zyrtare: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030


Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Këtë e ka vendosur Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e cila është mbajtur në Heraklion të Greqisë.

Kandidatura e Kosovës ka marrë 55 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, derisa tetë kanë qenë kundër dhe tri abstenime.

Për shtetin e Kosovës, kjo është një arritje tejet e madhe, pasi që në këtë kompeticion do të marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente, dhe priten që të marrin pjesë rreth 5 mijë sportistë.

Kandidatura e Kosovës u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.

Këtë lajm, kryeministri Kurti, e ka konsideruar “arritje e jashtëzakonshme”, teksa i ka uruar të gjithë qytetarët.

Qeveria e Kosovës, përmes mbledhjes në formë elektronike të mërkurën e 6 shtatorit, kishte bërë të ditur se ka miratuar vendimin për kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Se Kosova do të ishte zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ishte bërë me dije me 4 prill.

Në një konferencë për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin, bënë me dije se Kosova zyrtarisht ishte kandidat për t’i pritur Lojërat Mesdhetare 2030.

Para atyre që do t’i organizojë Kosova, në vitin 2026, Lojërat Mesdhetare do të mbahen në Taranto të Italisë.

Edicioni paraprak i Lojërave Mesdhetare ishte mbajtur në Oran të Algjerisë.

Kosova u pranua si anëtare e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare në tetor të vitit 2015.

Për herë të parë mori pjesë në Lojërat Mesdhetare 2018, që ishin mbajtur në Tarragona të Spanjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore