Shqipëria

Logo-ja e vjedhur e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit


Ditëve të fundit, interneti po gëlon nga çështja e logos së “vjedhur” nga ana e kompanisë, që ka fituar tenderin për rinovim rrënjësor të imazhit dhe identitetit të institucionit.

Në janar të vitit të kaluar, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), shpalli konkursin e hapur me anë të një thirrjeje publike për dizajnin e logos së re të këtij institucioni.

Kompania Pika Pro fitoi tenderin dhe paraqiti logon e saj e cila u vendos në faqen zyrtare të TKOBAP-së në dhjetor të 2020-ës.

Fill pas kësaj në mediat sociale qarkulluan dy imazhe të njëjta, njëra e Pika Pro-së dhe tjetra e dizajnuar nga Freepik.

Logoja e SoundWave-it
Logoja e TKOBAP-së

TKOBAP-ja, reagoi në faqen e tij zyrtare duke sqaruar që nuk kishte lidhje me monitorimin e logos dhe se nuk mundet të mbajë përgjegjësi për origjinalitetin e një produkti.

E pyetur nga AlbanianPost, se çfarë do të bëhet me kompaninë dhe a do të merren masa, sekretariati i TKOBAP-së u përgjigj se akoma nuk është marrë një vendim.

Nga ana tjetër kompania ka reaguar në një postim duke e distancuar veten nga “vjedhja e logos” dhe duke sqaruar që është ngjashmëri. Ajo ka shpjeguar të gjithë konceptin e detajuar.

Të pyetur përsëri nga AlbanianPost kompania nuk shprehu dëshirë të prononcohet duke argumentuar se e ka bërë të gjithë sqarimin.

Problemet e vazhdueshme me tenderin

Shpesh herë ka pasur akuza për mënyrën e funksionimit të tenderimit, se si shumë detaje nuk janë bërë të ditura. Por, TKOBAP-i i ka hedhur poshtë, duke postuar të gjitha detyrimet e kompanisë fituese.

Në kuadër të këtij konkursi, aplikantët duhet të dorëzonin jo vetëm një logo, por një set produktesh marketingu dhe se “punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori duhet të pranojë përgjegjësi ligjore për sa I përket autenticitetit të punimeve të dorëzuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore