Shqipëria

“Lobimi i LSI-së në SHBA”, Petriti Vasili u thirr në SPAK si person në dijeni


Nënkryetari i Partisë së Lirisë (ish-Lëvizja Socialiste për Integrim), Petrit Vasili është thirrur të premten e 21 korrikut në ambientet e Prokurorisë së Posaçme si person në dijeni për lobimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shtetet e Bashkuara.

Këto hetime po drejtohen nga prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.

“U thirra si person në dijeni. Kisha ca pyetje, u përgjigja. Për çështje që kishin interes ata, pyesni SPAK-un”, deklaroi për mediat Vasili pas marrjes në pyetje.

Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje më herët dhe ish deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari në lidhje me lobimin në SHBA të LSI-së.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë se gjatë vitit 2016, LSI kishte bërë pagesa në vlerë 267 mijë e 804 dollarë për kompaninë e saj të lobimit në Washington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS.

Pagesat përfshinin tarifën mujore fikse prej 30 mijë dollarësh për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane, shkruante BIRN.

Shumat e paguara për GSIS-së i kishin siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Washington.

GSIS është një kompani konsulence me qendër në Washington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë si ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan dhe ish-ish-kreu i Departamentit të Doganave dhe Kufirit, David Aguilar.

Ajo është një nga dy kompanitë lobuese të angazhuara në Washington nga LSI gjatë asaj periudhe.

Përveç kontratës me GSIS, LSI-ja kishte kontraktuar në janar të vitit 2017 edhe kompaninë e lobimit McKeon Group, për t’i siguruar liderit të saj, Ilir Meta një ftesë në inaugurimin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, vijon BIRN në artikullin e saj.

Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së, Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti në SHBA.

Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që GSIS e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij nga 11 deri në 16 maj në Washington, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor.

Gjithashtu, kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik 2016.

GSIS i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.

Pas gushtit 2016, puna e GSIS është përqendruar në kontakte me zyrtarëve të administratës amerikane në lidhje me një marrëveshje dypalëshe midis SHBA-ve dhe Shqipërisë për kriptimin e të dhënave që transmetohen në internet e njohur si “SRTP.”

Në lidhje me këtë marrëveshje, GSIS ka pasur kontakte të vazhdueshme me Departamentin e “Homeland Security” si dhe ambasadën në Tiranë.

Asistenca e kompanisë amerikane ndaj LSI-së ka vazhuar dhe në fillim të 2017, gjatë vizitës së liderit të LSI-së Meta në Washington me rastin e inagurimit të ish-presidentit Donald Trump.

Nga janari 2016 deri me 31 janar 2017, LSI i kishte paguar GSIS-së 297 mijë e 804 dollarë në total në formë tarife mujore dhe rimbursim të shpenzimeve të kompanisë amerikane.

Nga kjo shifër, 267 mijë e 804 dollarë i përkasin vitit 2016, ndërsa një pagesë prej 30 mijë dollarë është bërë në 18 janar 2017.

Në raportin e saj vjetor financiar të dorëzuar në KQZ, LSI do të raportonte shpenzime për konsulencë në vlerën 11.7 milionë lekëve (91 mijë dollarë) – gati tre herë më pak se shpenzimet reale që ajo ka pasur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore