Sport

Liverpool përmbys Crystal Palace, Salah shënon golin historik


Liverpool ka arritur të fitojë me përmbysje, 2-1, përballë Crystal Palace në Premier League këtë të shtunë.

“Selhurst Park” priti takimin mes vendasve të Crystal Palace dhe miqve Liverpool-it. Ndeshja hapi javën e 16 të Premier League.

Pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura, teksa vendasit realizuan një gol i cili u anulua nga VAR.

Në pjesën e dytë, Crystal Palace do të ishte sërish i pafat teksa VAR-i do i anulonte një tjetër gol. Megjithatë, Jean-Philippe Mateta realizoi me 11 metërsh në minutën e 57.

Por, pavaresisht realizimit të vendasve, miqtë do të arrinin të përmbysnin takimin në minutat e mbetura, të ndihmuar edhe nga kartoni i dytë i verdhë i Jordan Ayew që i la ata me 10 lojtarë në fushë.

Mohamed Salah realizoi në minutën e 76 për të vendosur barazpeshën.

Goli i egjiptianit solli dhe një rekord për lojtarin, duke çimentuar statusin e tij si një legjend për klubin e “Anfield”. Ai bëhet lojtari i pestë në historinë e klubit që shënon 200 gola në të gjitha garat me fanellën e Liverpool-it.

Ndërsa goli i dytë për të besuarit e Jurgen Klopp-it u realizua në minutën e parë shtesë nga talenti anglez, Harvey Elliott.

Me rezultatin e arritur, Liverpool ngjitet përkohësisht në krye të renditjes së Premier League me 37 pikë. Një pikë më shumë se Arsenal-i i vendit të dytë, me “Topçinjtë” që kanë një ndeshje më pak. Crystal Palace qëndron në vendin e 14 me 16 pikë.

Premier League do të vijojë këtë të shtunë me katër takime të orës 16:00:

Brighton – Burnley

Manchester United – Bournemouth

Sheffield United – Brentford

Wolves – Nottingham Forest

Takimi i fundit i ditës në Premier League do të luhet duke filluar nga ora 18:30 mes Aston Villa-s dhe Arsenal-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore