Sport

Liverpool arrin marrëveshje me talentin portugez


Liverpool-i ka arritur marrëveshje për transferimin e talentit portugez, Fabio Carvalho, i cili aktivizohet në radhët e skuadrës angleze, Fulham.

“The reds” e kanë finalizuar marrëveshjen me klubin e Fulham-it, ku sipas mediave angleze ata kanë paguar shumën e 5 milionë eurove për portugezin, i cili do të transferohet në “Anfield” gjatë verës së ardhshme.

Anësori kishte rënë dakord për kushtet personale që në afatin kalimtar të janarit, mirëpo klubi i tij e refuzoi ofertën e parë të Liverpool-it dhe më pas nuk pati kohë për një ofertë të re.

Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, kishte një interesim të madh për 19 vjeçarin, të cilin po e ndiqte prej kohësh.

Mesfushori ofensiv i ka përfunduar edhe ekzaminimet mjekësore dhe nga 1 korriku do të jetë futbollist i Liverpool-it.

Sipas mediave angleze, bonuset do të jenë rreth 2.7 milionë euro, ndërsa eksperti i transferimeve Fabrizio Romano njofton se kontrata do të jetë deri në vitin 2027 dhe në të është përfshirë klauzola e shitjes eventuale.

Kujtojmë që Carvalho ka impresionuar këtë vit me paraqitjet e tij me skuadrën e Fulham-it, e cila me shumë gjasë sezonin e ardhshëm do të luajë në Premier Leauge.

Portugezi deri më tani ka regjistruar 29 paraqitje në Championship, prej të cilave ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar po aq asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore