Lajme

Lista Serbe shumë e lumtur me marrëveshjen: Stacioni i energjisë mbetet i yni, s’paguajmë retroaktivisht dhe punësojmë njerëz


Lista Serbe

Lista Serbe ka shumë arsye për t’iu gëzuar marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë sa i përket energjisë elektrike, thuhet në komunikatën e kësaj partie lëshuar në llogarinë në Facebook.

Prandaj, shkruajnë ata, “Lista Serbe mirëpret marrëveshjen e sotme për energjinë që ka rëndësi të shumëfishtë për ekonominë e qytetarëve tanë”.

Për Listën Serbe kjo marrëveshje ruan sistemin e tyre energjetik, u mundëson serbëve në Veri të punësohen dhe gjithashtu nuk do të paguajnë asgjë nga shpenzimet e mëparshme.

“Duhet të theksohet se kjo marrëveshje është provë që dialogu është rruga e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe jo përdorimi i dhunës, dhe kjo marrëveshje parandalon marrjen potenciale me brutalitet të stacionit të Valaq-it, rrëmbimit të sistemit tonë të energjisë dhe ndërhyrjes së furnizimit me energji të qytetarëve tanë, institucioneve edhe entiteteve ekonomike në këtë kohë të krizave dhe sfidave të mëdha”, thuhet në komunikatë.

“Serbët asnjëherë nuk i kanë ikur përgjegjësisë së tyre, por ne kemi kërkuar që të bëhen gjërat në akordim me marrëveshjen, pra me Elektrosverin që është kompani e Ndërmarrjes Energjetike të Serbisë. Në të njëjtën kohë, marrëveshja e sotme pamundëson pagesën retroaktive”, shkruajnë ata.

“Në anën tjetër, kompania e re Elektrosever, do të ketë një sistem të energjisë në veri me garanci të ofruara nga Bashkimi Evropian. Do të donim të theksonim se të gjithë punëtorët e Elektrokosmet në veri do të punësohen gjithashtu do të bëhet rekrutimi i punëtorëve të rinj”.

Për Listën, përveç pikave të favorshme për ta në këtë marrëveshje, ka diçka edhe më të mirë.

“Tash hapet rruga për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, thonë ata.

Marrëveshja është lëvduar edhe nga kryeneogciatori i Serbisë në Bruksel, Petar Petkoviç. Por, gjithashtu është parë si marrëveshje e mirë edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ky është rezultati i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Ibër”, ka thënë Kurti për agjencinë e lajmeve Kosova Press.

Megjithatë, marrëveshja është kundërshtuar, njëjtë sic e kishte kundërshtuar edhe në vitin 2015, Visar Ymeri.

Atëherë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri kishte deklaruar se “kjo marrëveshje po e rilidhë edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”.

Ai edhe tani, në një prononcim për Albanian Post, ka deklaruar se s’ndryshon qëndrim, ndryshe nga sa ka bërë Vetëvendosje.

“Njëjtë sikur me target, edhe kjo marrëveshje për energjinë, ka qenë vendosmërisht e kundërshtuar nga Vetëvendosja në kohën kur ishte nënshkruar. Tash po vlerësohet lartë nga përfaqësuesit e pushtetit”, pohoi ai.

Marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Në anën tjetër Elektrosever, bazuar në marrëveshjen në fjalë është detyruar që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, gjegjësisht marrëveshjen kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshjen mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të Marëveshjes së 2013-s.

“Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë një kod identifikimi të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë”, thuhet në pikën tjetër të marrëveshjes.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes për energji thotë se në përputhje me pikën 14 të Marrëveshjes energjetike të vitit 2015, në afat prej 30 ditësh nga dhënia e licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së) do të kenë qasje në nënstacionin e Vallaq si dhe në infrastrukturat tjera të transmisionit dhe distribucionit.

Marrëveshja më tej detyron KOSTT dhe KEDS që brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, pas konsultimit me Elektrosever, t’i dorëzojnë ZRRE-së planin e investimeve, koston e kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

“Brenda 21 ditëve pas paraqitjes së planit të investimit dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes së kërkuar për humbjet e rrjetit, ZRRE do të miratojë në parim planet, kostot dhe humbjet”, detyron pika e 7 e marrëveshjes.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore