Lajme

Petkoviç: Arritëm çfarë deshëm me marrëveshje, Elektrosever-it iu dha mundësia që të ofrojë shërbime të distribucionit


Petar Petkoviç

“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se, Elektrosever-it iu dha mundësia që të ofrojë shërbime të distribucionit. Prishtina kishte refuzuar ta ofrojë atë”.

Kështu është deklaruar i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç, pas arritjes së marrëveshjes për Energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të martën e 21 qershorit.

Ai marrëveshjen e dakorduar e ka cilësuar si një sukses të madh për palën serbe, pasi sipas tij Elektrosever, do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime të rëndësishme, si faturimi, mirëmbajtja dhe lidhja e konsumatorëve të rinj me rrjetin.

Petkoviç, pas arritjes së marrëveshjes para mediave ka prezantuar dy letra, që sipas tij përfaqësojnë një paketë marrëveshjesh energjetike, ku letra e parë sipas tij është një garanci nga Miroslav Lajçak, ku thuhet qartë se Elektrosever do të jetë përgjithmonë i pranishëm në Valaq dhe se çdo aktivitet, riparim i rrjetit apo diçka tjetër do të kryhet nga KEDS dhe KOSTT, por me pëlqimin dhe praninë e Elektrosever.

“Ne nuk e kemi dorëzuar Valaqin, as që e kemi prekur çështjen e pronës. Është shumë e rëndësishme që njerëzit tanë ta dinë këtë”, ka shtuar ai.

Sipas tij askush nuk mund të kontrollojë Valaqin pasi Elektrosever do të jetë përgjithmonë i pranishëm atje.

Gjëja më e rëndësishme, të cilën po pretendon se është arritur në Bruksel të martën, sipas Petkoviç, është që Elektrosever do të jetë në gjendje të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.

“Ne kemi dy garanci përgjatë udhërrëfyesit dhe ajo është paketa e marrëveshjeve për energjinë e përfunduar sot në Bruksel. Unë do të jem i pranishëm në terren, do t’i shpjegoj njerëzve që kjo marrëveshje është përfunduar në favorin tonë”.

Për Petkoviç, serbët në Veri nuk do të jenë të detyruar të paguajnë faturat të cilat nuk i kanë paguar me vite të tëra, pasi sipas tij, pagesa e tyre do nisë në momentin e nënshkrimit të kontratës në mes të Elektrosever, KEDS dhe KOSTT.

“Kemi dëgjuar se në Prishtinë kanë tentuar t’i frikësojnë qytetarët duke thënë se do të duhet të paguajnë disa borxhe për rrymë, por të gjitha obligimet ligjore për çdo konsumator në veri të Kosovës nisin që nga momenti i nënshkrimit të kontratës”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore