Lajme

Kurti për marrëveshjen e arritur: Lajm shumë i mirë, rezultat i qëndrimeve tona parimore


Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, arritja e një ujdie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë, është një lajm shumë i mirë.

Sipas tij, miratimi i një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energji elektrike në Veri, është rezultat i punës së palodhshme dhe qëndrimeve parimore bazuar në ligjet dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.

“Ky është rezultati i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit ibër”, ka thënë Kurti, në një prononcim për media, pas tryezës së organizuar nga institucioni i Avokatit të Popullit.

“Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, ka shtuar ai.

Lidhur me atë se kur pritet të nis inkasimi i energjisë së shpenzuar, Kurti a thënë se këto detaje do ti jap zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pasi të kthehet nga Brukseli.

Marrëveshja për Energjinë Elektrike në Bruksel e arritur këtë të martë mes Kosovës dhe Serbisë, respektivisht mes Bisnik Bislimit si kryenegociator i Kosovës dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviç, është, siç ka njoftuar edhe vetë zëvendëskryeministri, pikë e presje siç ishte ajo në 2013 dhe në 2015.

Por, në kohën kur ishte arritur ky dakordësim që tani u zyrtarizua me marrëveshje nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar ashpër.

“Kjo marrëveshje po e rilidhë edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”, kishte shkruar Lëvizja Vetëvendosje në komunikatë zyrtare për media.

Njoftimin për arritjen e marrëveshjes fillimisht e ka bërë i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twtiter, ka lajmëruar se marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Marrëveshja e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët përmes BE-së”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore