Lajme

Lista Serbe për reagimin e Hovenier-it: “Deklaratë e turpshme”


Lista Serbe

Përkundër se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, reagoi për incidentin e ndodhur në Veri, ku si pasojë një serb mbeti i plagosur, Lista Serbe reagimin e tij e cilësoi si “të turpshëm”.

Përmes një komunikatë për media, pasi që Hovenier u shpreh i shqetësuar për deklaratën fillestare të Policisë së Kosovës, ku e kishin mohuar përfshirjen e ndonjë zyrtari policor në rastin në fjalë, nga Lista Serbe ironizuan duke shkruar se “janë thellësisht të shqetësuar se ambasadori amerikan në Prishtinë z. Hovenier është i shqetësuar”.

“Në vend se të dënohet qartë tentim-vrasja e Milan Jovanoviç-it mbrëmë në pikën e kontrollit ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në urën e Bistricës, ai është i shqetësuar!?”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ndërkaq, nga kjo parti thanë se “vetëm pasi Lista Serbe reagoi dhe vuri në dukje se Milan Jovanoviç ishte viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të Kurtit, pasdite vonë i shqetësuar z. Hovenier foli dhe bëri këtë deklaratë të turpshme që minimizon përgjegjësinë”.

“Me çka ambasadori është i shqetësuar, shkaktoi shqetësimin e gjithë popullit serb, sidomos sepse po punon në normalizimin e situatës”, pretendojnë nga Lista Serbe.

Tutje, ata thanë se ky rast, sipas tyre nuk është i pari “në të cilin relativizohet sulmi ndaj serbëve, kurse përgjegjësia e kriminelëve minimizohet”.

Ndërsa, ata pretendojnë se me këso veprimesh “është e qartë për të gjithë qytetarët tanë se ambasadorët e QUINT-it po bëjnë gjithçka për të kundërtën e asaj që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pasi që mbrëmjen e së hënës një serb u qëllua me armë zjarri në Veri të Kosovës, ku shprehi shqetësimin e tij lidhur me mohimin që fillimisht e bëri Policia e Kosovës, duke thënë se ata nuk janë të përfshirë në shkëmbime me armë apo gjuajtje me armë zjarri me persona ose grupe të caktuara.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai tha se shteti që ai përfaqëson “janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan natën e kaluar”.

“Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”.

Incidenti në Veri, Hovenier: Të shqetësuar nga mohimi fillestar që e bëri Policia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore