Lajme

Incidenti në Veri, Hovenier: Të shqetësuar nga mohimi fillestar që e bëri Policia


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pasi që mbrëmjen e së hënës një serb u qëllua me armë zjarri në Veri të Kosovës, ku shprehi shqetësimin e tij lidhur me mohimin që fillimisht e bëri Policia e Kosovës, duke thënë se ata nuk janë të përfshirë në shkëmbime me armë apo gjuajtje me armë zjarri me persona ose grupe të caktuara.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai tha se shteti që ai përfaqëson “janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan natën e kaluar”.

“Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”.

Tutje, diplomati amerikan potencoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet “të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë”.

“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media këtë të marte ka bërë të ditur se janë siguruar dëshmi që tregojnë dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në një gjuajte me armë zjarri, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person, ndryshe nga deklarata e të hënës ku e mohuan një gjë të tillë.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin e ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, aty thuhet se si rezultat “i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

Plagoset një person me armë zjarri në veri të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore