Shqipëria

Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Lezhës, përfiton nga Amnistia Penale


Ish-kryetari i Bashkisë Lezhë nga radhët e Partisë Demokratike, Fran Frrokaj, është liruar nga burgu, pasi është ndër personat përfitues të Amnistisë Penale, e cila ka nisur sot zyrtarisht zbatimin e saj.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar më 1 mars me dy vite burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, për tjetërsime të pronave në zonën e njohur si Rana e Hedhun.

Ky dënim, për shkak të gjykimit të shkurtuar, iu konvertua Frrokajt në 1.4 vite burg.

Megjithatë, tashmë Frrokaj ka përfituar nga Amnistia dhe nuk do të ketë nevojë të kryejë dënimin.

Po ashtu, GJKKO ka dhënë dënim plotësues për Frrokajn, që për 5 vite i hiqet e drejta që të ushtrojë funksione publike.

Më 28 tetor 2022, Frrokaj ishte dorëzuar në Polici, pasi mbi të rëndonte edhe një dënim nga Gjykata e Apelit Shkodër, e cila e dënoi atë me tre vite burg.

Kjo, për shpërdorim të detyrës dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Frrokaj ishte i vetmi ish-zyrtar i pandehur që ndoqi dhënien e vendimit, por ai u largua nga salla pa u arrestuar, pasi vendimi pritet t’i jepet për ekzekutim policisë.

Në shtator të vitit 2020, Gjykata e Shkallës së parë në Lezhë do të shpallte fajtor ish-kryebashkiakun Frrokaj – duke e dënuar me katër vite burg.

Në drejtim të tij rëndonte akuza “Shpërdorim detyre”.

Ish-kryebashkiaku demokrat ishte nën akuzë për abuzimin me 234 mijë metra katrorë prona në bregdetin e Shëngjinit.

Apeli e riktheu fillimisht çështjen për gjykim në Shkallën e Parë, me pretendimin se nuk u zhvillua si një proces i rregullt ligjor.

Sipas motivimit të kësaj shkalle, pati shkelje procedurale si mosveçimi i çështjes.

Kryetari asokohe i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të reagonte fill pas arrestimit të Frrokajt.

“Sot u them të gjithë shqiptarëve se ne urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrim im dhe i PD-së mbetet i pandryshuar, të gjithë të jenë të barabartë para ligjit nga qytetarët e thjeshtë deri te politikanët e lartë”, do të shprehej fillimisht Basha.

Gjatë një konference për mediat nga selia blu, ish-kryedemokrati do të ravijëzonte kërkesën për transparencë dhe hetim të paanshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore