Sport

Lineker do të rikthehet në transmetim pas marrëveshjes me BBC


Gary Lineker dhe menaxhmenti i BBC kanë arritur një marrëveshje për ta rikthyer prezantuesin në transmetim, pas ndërprerjes së fundjavës në oraret e BBC Sport.

Drejtori i Përgjithshëm Tim Davie deklaroi se “Gary është një pjesë e çmuar e BBC-së dhe unë e di se sa do të thotë BBC për Gary, dhe mezi pres që ai të prezantojë mbulimin tonë këtë fundjavë që vjen”.

Në një deklaratë, Davie njofton gjithashtu se BBC-ja do të nisë një rishikim të pavarur në udhëzimet e saj të mediave sociale, me një fokus të veçantë te përkthyes të pavarur jashtë lajmeve dhe çështjeve aktuale si Lineker.

“Jam i kënaqur që kemi gjetur një rrugë përpara. Unë e mbështes këtë rishikim dhe mezi pres të rikthehem në transmetim”, u shpreh ish-futbollisti Lineker.

Përjashtimi i Gary Lineker nga emisioni futbollistik “Match of the Day”, i cili transmetohet në median shtetërore britanike BBC, solli në dritë një sërë polemikash mbi integritetin e institucionit medial më të madh në Mbretërinë e Bashkuar si edhe ka ngjallur debatin, lidhur me gjithë vendimmarrjet e medias.

Vetë Lineker, për shkak të kritikave që ka pasur sa i përket ligjit për azilkërkuesit në Britaninë e Madhe (çështje e shumëpërfolur me muaj, ku të përfshirë janë edhe emigrantët shqiptarë), u pushua nga emisioni.

Mirëpo, këtë gjë, BBC-së nuk ia falën jo vetëm shikuesit, por edhe kolegët e Lineker.

Fakti se një person publik me staturën e Lineker, i cili opinionbërjen e ka shtrirë edhe përtej sportit shpesh herë, nuk lejohet të thotë mendjehapur atë çfarë mendon mbi një situatë, ka ngritur shqetësime të mëdha në publik.

Shumëkush po shtron tashmë pyetjen se çfarë vetë BBC po i jep audiencës si ushqim për konsum dhe sa i pavarur institucioni medial është.

Pikërisht për këtë fakt, edhe komentatorët e tjerë të emisionit sportiv, janë tërhequr nga transmetimi, duke përfshirë Steve Wilson, Conor McNamara, Robyn Cowen, apo edhe Steven Weyth.

Arsyeja është e njëjta dhe lidhet vetëm me rastin Lineker, ku liria për të shprehur mendimet në publik, duhet të ishte primare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore