Lajme

Lindjet e pazakonshme në QKUK: 5 me trinjakë dhe 1 me katërnjakë


Shtatzënitë me katër fëmijë njëherësh nuk janë shumë të zakonshme në Kosovë por as edhe në botë.

Në shkurt të këtij viti, në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një nënë kosovare kishte lindur katërnjakë.

Lidhur me këtë lindje, drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, ka thënë për Albanian Post se kjo lindje është kryer me prerje cezariane.

Por në shtatzënitë e tilla, foshnjat jo gjithmonë arrijnë të zhvillojnë peshën e duhur për të mbijetuar.

Duke pasur parasysh se pesha e këtyre foshnjave ka qenë e vogël, do të thotë nga 1.240 kg, 1.350 kg, 1.300 kg dhe 1.500 kg, nga këto foshnje vetëm njëri prej tyre ka mbijetuar kurse tre të tjerët jo.

Jo shumë të shpeshta janë edhe rastet me trinjakë. Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti në QKUK pesë gra lindën nga tre fëmijë njëherësh.

Këto raste, sipas drejtorit Ismaili, në shumicën  rasteve përfundojnë me lindje të parakohshme.

Ndërsa rastet e binjakëve janë më të shpeshta, gjithsej 31 raste. Por në total, në Gjinekologji, përgjatë këtyre tre muajve lindën 1929 foshnje.

“Shanset që një çift të ketë katërnjakë, janë nga 1 në 11 milionë deri 1 në 15 milionë, në botë”, thotë Biran Rinehart, mjek specialist në një spital në Dallas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore