Shqipëria

Lihet në burg kapiteni i anijes me 22 mijë tonë naftë kontrabandë


Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest në burg” për kapitetin rus Alexey Smaznov të anijes që transportoi 22 mijë e 500 tonë naftë kontrabandë.

Avokati i Smaznov-it e konsideroi masën si “të ekzagjeruar” dhe shtoi se vendimi do të dërgohet në Gjykatën e Apelit.

Akuzat që rëndojnë ndaj shtetasit rus, janë ato të “Kontrabandës me mallrat për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 mijë e 500 tonë lëndë djegëse naftë.

Sipas autoriteteve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit.

22 personel ekuipazhi është ndaluar po ashtu pas bllokimit të anijes, por ende nuk ka detaje lidhur me çështjen.

Operacioni u zhvillua më 20 shkurt nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Policinë Kufitare të Portit Durrës, Drejtorinë e Antikontrabandës, autoritetet doganore të portit, Rojën Bregdetare dhe Kapitenerinë e Portit Durrës,

Policia tha se, përmes inteligjencës informative, kishte siguruar informacione për një anije me flamur liberian që do të kontrabandonte një sasi shumë të madhe nafte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore