Lajme

“Ligji për pagën minimale ka mbetur aty ku e kanë lënë edhe para 12 vjetësh” – Azemi kritikon Qeverinë


Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se Ligji për pagën minimale nuk ka lëvizë fare, për çka fajtor e bën Qeverinë e Kosovës

“Projektligji për pagën minimale ka mbetur aty ku e kanë lënë edhe para 12 vjetësh, ku e kanë lënë në vitin 2011, pasi që Qeveria e Kosovës tentoi që në Parlament në fakt u bë leximi i parë, është pritë që të bëhet edhe leximi i dytë, por nga paaftësia e Qeverisë nuk mund të kalojë”, tha Azemi për Ekonomia Online.

“Nëse kanë telashe sepse paga minimale është e lidhur me pagën e veteranëve të luftës, kemi ofruar një zgjidhje për të cilën kemi thënë që punëtorët e sektorit privat të Kosovës të paguhen në bazë të orëve që punojnë dhe jo në bazë të ligjit”.

Vitin e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar në parim Ligjin për pagën minimale.

Ky ligj lë jashtë kategorinë e veteranëve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pro këtij projektligji ishin 68 deputetë, përfshirë edhe Listën Serbe, kundër nuk kishte e abstenuan gjashtë. Deputetët që abstenuan ishin nga Grupi multietnik.

Gjatë procesit të votimit u dëgjuan thirrjet “marre” nga deputetët e opozitës, të cilët kundërshtuan këtë projektligj meqë nuk i përfshinte edhe veteranët e UÇK-së, të cilët protestuan para Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas miratimit të Ligjit për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin deri në shumën e pagës minimale e pati konsideruar si lajm të mirë për qytetarët e Kosovës.

Ai kishte thënë se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100 për qind, respektivisht mbi 50 për qind të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale.

“Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, pati shkruar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore