Lajme

“Marre” – VV e Lista Serbe votojnë Ligjin për Pagën Minimale, lanë jashtë veteranët


Kuvendi i Kosoves

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të 14 qershorit, kanë votuar në parim Ligjin për pagën minimale.

Ky ligj lë jashtë kategorinë e veteranëve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pro këtij projektligji ishin 68 deputetë, përfshirë edhe Listën Serbe, kundër nuk kishte e abstenuan gjashtë. Deputetët që abstenuan ishin nga Grupi multietnik.

Gjatë procesit të votimit u dëgjuan thirrjet “marre” nga deputetët e opozitës, të cilët kundërshtuan këtë projektligj meqë nuk i përfshinte edhe veteranët e UÇK-së, të cilët javën e kaluar protestuan para Kuvendit të Kosovës.

Kundër këtij projektligji ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, i cili u bashkëngjitë protestës së partive opozitare duke e rrahur tavolinën dhe më pastaj lëshoi sallën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, para se të hidhet në votim projektligji në fjalë, ka thënë se të gjitha debatet kanë përfunduar për këtë çështje dhe se s’do t’i kthehen edhe njëherë.

Megjithatë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, mori fjalën para votimit për të propozuar heqjen e tij nga rendi i ditës dhe që projektligji të kthehet prapë në Qeveri.

Ndërsa sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, miratimi në lexim të parë të Projektligjit për pagën minimale, është një arritje, pas 11 viteve stagnim në këtë proces.

Sipas Muratit, me Projektligjin në fjalë do të përfitojnë mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat që aktualisht punojnë për pagë.

Nga ky projektligj, gjithmonë sipas Muratit, do të përfitojnë mbi 380 mijë të punësuar të cilët marrin më shumë pagë neto sepse hiqet tatimi për 250 euro e para të pagës.

Sot fituan fëmijët e UDB-së kundër UÇK-së

Ramush Haradinaj ne konference

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas votimit të Projektligjit për pagën minimale, ku përjashtohen kategoria e veteranëve.

Ish-kryeministri i Kosovës, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se dita e sotme duhet të cilësohet si një ditë e çuditshme për Parlamentin e Kosovës, pasi sipas tij me votimin e Projektligjit në fjalë, kanë fituar fëmijët e UDB-së, të përkrahur nga Lista Serbe.

“Jam i bundur që edhe Rrahman Morina sot do ja kishte lakmi Glauk Konjufcës dhe Albin Kurtit. Sot pamë një fitore të fëmijëve të UDB-së, e përkrahur edhe me votat e Listës Serbe e cila përjashton veteranët e UÇK-së nga Ligji për Pagën Minimale”, ka thënë ai.

Haradinaj, ka thënë se partia e tij do të vazhdojë të mos pajtohet me këtë projektligj, ndërsa ka deklaruar se format e kundërshtimit të tij do të bëhen të ditur në ditët në vijim.

OVL-UÇK proteston të enjten, Klinaku: I turpshëm votimi

Faton Klinaku, OVL e UCK-se

Për shkak të votimit në parim të ligjit për rritjen e pagës minimale në Kuvendin e Kosovës ku janë përjashtuar veteranët e luftës, ushtruesi i detyrës së OVL UÇK-së ka thirrur për protesta mbarëpopullore për të enjten në ora 09:30

Një votim të tillë të ligjit, Faton Klinaku e ka quajtur të turpshëm.

“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”, shkroi Klinaku në reagim.

“Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. Deri në kategorimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”, shkroi mes tjerash ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore