Përballje

Liga e Kombeve/ Franca mbetet pa fitore, Danimarka mposht Austrinë


Kombëtarja e Francës assesi të këndellet. Gjelat përsëri nuk arritën të marrin fitore, ku këtë herë u mposhtën në shtëpi nga Kroacia me rezultat 0:1.

Ndeshja u zhbllokua që në minutën e pestë, kur Luka Modric kaloi Kroacinë në epërsi, pas golit të realizuar nga penalltia.

Në vazhdim të pjesës së parë, dyja kombëtaret patën disa raste të mira për të shënuar, por skuadrat shkuan në pushim me epërsi minimale të mysafirëve.

Pjesa e dytë nisi më vrullshëm për Francën. Kylian Mbappe pati dy raste të mira, por fati kësaj herë nuk ishte në anën e francezëve.

Edhe në minutat në vazhdim, gjelat shtuan presionin për ta barazuar rezultatin, por përpjekjet dolën të jenë të kota, me ekipin kroat që arriti të mbrohej mirë.

Me këtë humbje, befasisht Franca gjendet e fundit në Grupin 1 të Ligës A me vetëm dy pikë në katër ndeshje, ndërsa Kroacia mban vendin e dytë me shtatë pikë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Danimarka shënoi fitore ndaj Austrisë me rezultat 2:0.

Sulmuesi i Wolfsburg-ut, Jonas Wind, kaloi danezët në epërsi në minutën e 21-të, derisa golin e dytë e shënoi Andreas Skov Olsen në minutën e 37-të.

Në vazhdim dyja skuadrat patën disa raste të mira për gol, por vendasit arritën që ta menaxhojnë mirë rezultatin, për ta siguruar suksesin e tretë në katër ndeshje.

Aktualisht Grupit 1 të Ligës A i prinë Danimarka me nëntë pikë, ndërsa Austria gjendet në vendin e tretë me katër pikë.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, dy skuadrat që janë në grup me Shqipërinë, Izraeli dhe Islanda, luajtën baras me rezultat 2:2.

Jon Dagur Thorsteinsson kaloi islandezët në epërsi në minutën e nëntë, derisa goli i barazimit u shënua në minutën e 35-të, ku Daniel Leo Gretarsson shënoi autogol.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, derisa në të dytën sërish Islanda kaloi në epërsi.

Thorir Johann Helgason shënoi në minutën e 60-të, para se shtatë minuta më vonë Izraeli ta barazojë rezultatin me golin e realizuar nga Dor Peretz.

Aktualisht grupit i prinë Izraeli me pesë pikë, Islanda ka tri në vendin e dytë, ndërsa Shqipëria është e treta me vetëm një pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore