Lajme

Lidhjet e mafias italiane me Ballkanin – Arrestimi i Matteo Mesina Denaros ekspozon Gjukanoviç’in


Ilustrim

Arrestimi i Matteo Mesina Denaro, kreut të Cosa Nostra-s famëkeqe, ka vënë sërish në qendër të vëmendjes lidhjet e mafias italiane me Ballkanin.

Në vitin 2021, siç shkruan mediumi serb Nova.rs, u zbulua një dokument gjyqësor në të cilin Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, identifikohej si një njeri që bashkëpunonte me Cosa Nostra-n italiane, përmes ndërmjetësve.

Sipas Nova.rs, Gjukanoviç u lidh me botën e krimit italian në fillim të viteve 2000. Ai në atë botë si kryeministër i Malit të Zi u gjend në qendër të një hetimi nga prokuroria e Napolit, e cila e identifikoi atë si një person të përfshirë në mafinë e duhanit.

Ai u akuzua për shoqërim mafioz dhe kontrabandë cigaresh përmes Adriatikut.

Në aktakuzën e përpiluar nga ana e zyrës së prokurorit në Napoli, Milo Gjukanoviç, ishte figura kyçe në tregtinë e paligjshme të duhanit, i cili përdorte Malin e Zi si pikë tranziti për të kontrabanduar miliona cigare nga Italia përmes detit Adriatik, të cilët më pastaj shpërndaheshin në të gjithë Bashkimin Evropian.

Aktakuza përmbante gjithashtu një transkript të bisedave telefonike të përgjuara të Gjukanoviç’it me një person nga nëntoka italiane.

Kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi u gjend nën presion të madh për të deklaruar përfshirjen e tij në kontrabandën e cigareve, por gjatë gjithë procesit ai mohoi të gjitha akuzat e prokurorisë italiane.

Opozita në Mal të Zi më pas kërkoi që Gjukanoviç të shkonte në Itali për të sqaruar përfshirjen e tij të supozuar, por ish-kryeministri i refuzoi këto kërkesa.

Ai tha se Mali i Zi është përdorur ligjërisht si pikë tranziti për dërgimin e cigareve nga porti i Tivarit në Itali.

Pas presionit të madhe, Gjukanoviç vendosi të udhëtoi për në Itali, për të paraqitur, sipas tij, të vërtetën autoriteteve kompetente italiane.

Pas kthimit të tij në Mal të Zi, Gjukanoviç mohoi pretendimet se ai ishte i mbrojtur nga imuniteti diplomatik gjatë qëndrimit të tij në Itali.

Edhe pse ai e mohoi fuqimisht përdorimin e imunitetit diplomatik, të cilin e kishte si kryeministër i Malit të Zi, akuzat ndaj Gjukanoviç’it u hoqën.

Në atë kohë besohej se vendimi i prokurorit italian, Giuseppe Selzi, ishte ndikuar nga imuniteti diplomatik i Gjukanoviç’it.

Vetëm dy vjet pas rastit të kontrabandës së cigareve, Gjukanoviç u gjend në qendër të një skandali të ri me mafian italiane, këtë herë me vëllain e tij Aco Gjukanoviç.

Vëllezërit Gjukanoviç ishin të lidhur me manjatin shqiptar të naftës, Rezart Thaçi, i cili përvetësoi miliona për nevojat e organizatës mafioze Cosa Nostra.

Dëshmitari i rastit ndau me gjykatën bisedën e tij me Milo Gjukanoviç, në të cilën përmendeshin planet për të investuar në Bankën shtetërore të Malit të Zi.

Thaçi njihej prej vitesh për biznesin e tij në industrinë e naftës dhe dikur konsiderohej si njeriu më i pasur në Shqipëri. Dikur ka qenë edhe pronar i klubit italian të futbollit Parma, madje ka negociuar edhe blerjen e Milanit, në kohën kur pronar i tij ishte Silvio Berlusconi.

Bisedat e regjistruara në qershor 2021 dëshmojnë se Thaçi ishte në kontakt me vëllezërit Gjukanoviç.

Daniele Cestagali, njëri nga të dyshuarit në këtë rast, kishte dëshmuar në gjykatë për bisedën që ka pasur me Thaçin.

Ky rast deri më sot nuk ka marrë epilog dhe presidenti malazez ka mohuar me forcë akuzat për çdo lloj bashkëpunimi me mafian italiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore