Kosova

Liderët shtetërorë e opozitarë shprehin ngushëllime për vdekjen e Shyqri Nimanit


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe ministrat Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku.

Liderët shtetërorë e opozitarë i kanë shprehur ngushëllime familjes së shkruesit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, akademikut dhe artistit Shqyri Nimanit.

E para e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se fjalët e skalitura nga Nimani janë testament për brezat që do vijnë e kështu do të ruhet edhe kujtimi për të.

“Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt”.

“Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës”, thuhet nga Zyra e Presidencës.

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Nimani do të mbetet gjithmonë mjeshtër i arteve të bukura.

“Një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, pas tij la një karrierë të bujshme dhe gjurmë artistike, nga krijimi i logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës”.

“Me veprat e tij ka zënë me meritë të plotë e të padiskutueshme një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë”.

“Të rrallë, artist unik e shembull”, këto kanë qenë fjalët me të cilat e ka përshkruar Konjufca atë.

“Për 16 orë ka punuar për të dorëshkruar aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Një njeri i rrallë, artist unik,  shembull për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm për shoqërinë”.

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur i pikëlluar për humbjen e dy personaliteteve të rëndësishme të vendit për dy ditë.

“Brenda dy ditësh humbëm dy personalitete të veçanta të kombit, Arsim Fehmiun dhe Shyqri Nimanin, profesionistë e veprimtarë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushat e arsimit, artit e sportit”.

“Vepra dhe kontributi i Fehmiut dhe Nimanit, sikurse deri tash, do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Trashëgimia e tyre do të kultivohet me kujdes e përkushtim institucional”, ka shkruar ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arbërie Nagavci, vlerësoi se Nimani i la vepra të mëdha Kosovës prapa vetit.

Duke thënë se kjo është humbje e madhe për Kosovën.

“Me përkushtim e vullnet të madh profesor Nimani ja kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë duke bartur njohuritë dhe përvojën e vet tek studentët”.

“Në emër të Ministrisë së Arsimit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e bashkëpunëtorëve!”.

Nga opozita kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se emri i Shyqri Nimanit do të mbetet gjithmonë i lartësuar.

“Ai ishte pionier i dizajnit grafik në Kosovë, njëri nga themeluesit e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, si dhe kontribuues i madh në themelimin dhe zhvillimin e shumë institucioneve tona të artit”.

“Në historinë më të re të shtetit të Kosovës, emri i Shyqri Nimanit do të mbetet përgjithmonë i lartësuar, si mjeshtri që shkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Po ashtu edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur pikëllimin e tij pas ndarjes nga jeta të dy personaliteteve të rëndësishme të Kosovës.

“I pikëlluar pas ndarjes nga jeta të dy personaliteve të respektuara të vendit tonë, profesorëve Arsim Fehmiu dhe Shyqri Nimani, të cilët me punën e tyre lanë gjurmë të pashlyra në historinë e Kosovës”.

“Profesorët Fehmiu dhe Nimani do të kujtohen me krenari për kontributin që dhanë edukimin e brezave dhe në shumë sfera me rëndësi për vendin”, ka shkruar ai.

Të enjten e 22 qershorit ka ndërruar jetë shkruesi i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimani në moshën 82 vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore