Lajme

Liderët kosovarë vizitojnë personat me sindromën Down, BE thotë se mungon kujdesi institucional


Në Ditën Botërore të Sindromës Down liderët kosovarë kanë vizituar personat me këtë sindromë, por Bashkimi Evropian thotë se mungon kujdesi institucional ndaj tyre.

Zyra e BE-së në Kosovë ka “riafirmuar angazhimin për shoqëri gjithëpërfshirëse”.

Përmes një shkrimi në Twitter, BE-ja thotë se personat me sindromin Down në Kosovë përballen me paragjykim e mungesë të kujdesit institucional, qasje në shkollë dhe në punë.

“Njerëzit me sindromën Down përballen me paragjykime, mungesë të kujdesit institucional, qasje në shkollë dhe punë, veçanërisht gjatë COVID-19. Ata kanë nevojë për zgjidhje gjithëpërfshirëse, të barabarta dhe të qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Për nder të kësaj ditë, Shoqata Down Syndrome Kosova, ka pritur në vizitë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se personat me sindromën Down “duhet të ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe të jenë entuziast për të ardhmen”.

Ajo tutje ka shkruar se për të arritur këtë qëllim, “së pari duhet të punojmë në vetëdijësim në mënyrë që përfundimisht të ndodhë integrimi i natyrshëm i personave me Sindromën Down në shoqërinë tonë”.

Për sytë plotë jetë e buzëqeshjet më të dëlira, “do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar”, përfundoi Osmani.

Ndërsa Kurti theksoi se do të punojnë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me sindromën down dhe prindërit e tyre.

“Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë”, tha ai.

Përveç tyre, edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, është zotuar se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për trajtim të barabartë dhe për krijimin e kushteve të nevojshme për shkollimin dhe zhvillimin e fëmijëve të prekur me këtë sindromë.

“Qeveria e Kosovës ka shprehur gjithnjë gatishmëri për të vënë në dispozicion gjithë mekanizmat e nevojshëm në mënyrë që këta persona t’i gëzojnë të drejtat e tyre që nga shkollimi e deri te krijimi i kushteve për jetë të pavarur”, ka shkruar Hoti.

Për këtë ditë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se madhështia e një shoqërie qëndron në atë se sa ka vullnet të pranojë e integrojë të gjithë pa dallim.

“Është ditë e veçantë për ata që janë të veçantë, që reflektojnë dashuri e optimizëm. Andaj, ta kthejmë çdo ditë, në dashuri për të gjithë të prekurit me Down Syndrome”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje Haradinaj është shprehur se Kosova i ka të gjitha mundësitë që këta persona të kenë trajtim të drejtë dhe të barabartë që të përmbushin potencialin e tyre, “e për këtë qëllim nuk duhet të mungojë angazhimi i secilit prej nesh”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e kanë përzgjedhur pikërisht ditën e 21 të muajit të tretë për të nënkuptuar unikalitetin e trisomisë të kromozomit 21 që e shkakton Sindromën Down.

Kjo sindromë ishte përcaktuar si çrregullim kromozomik në vitin 1959 nga pediatri dhe gjenetisti francez, Jerome Lejeune.

Qëllimi i kësaj dite është bashkimi për të krijuar një zë të vetëm për të drejtat dhe mirëqenien e njerëzve me Sindromën Down.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore