Shqipëria

LIBRA e Blushit, jo Tom Doshi/ Cilat parti e kanë kaluar pragun 1% që aplikohet në 2021?


Në studimin dhe analizën e Open Data Albania, është bërë një klasifikim i partive politike që kanë fituar pragun 1% vota në rang kombëtar në tre zgjedhjet e mëparshme 2009, 2013, 2017.

Në zgjedhjet, që do të zhvillohen më 25 prill 2021, do të aplikohet ky prag kombëtar prej 1% të votave. Sado i mirë të jetë rezultati i një partie të caktuar në një qark, partia nuk mund të fitojë një mandat deputeti nëse nuk ka një numër votash që peshojnë sa 1% e totalit.

Kalimi i pragut shënon edhe statusin e partisë si parti parlamentare, e cila ka të drejtë të përfitojë nga financimet publike.

Open Data Albania hulumtoi mbi rezultate zgjedhore të tre proceseve të fundit për Kuvend, për të identifikuar parti që kanë arritur të marrin të paktën një për qind të votave në rang kombëtar.

Pragu prej 1% të votave kombëtare është tashmë kusht që një subjekt elektoral të pretendojë për mandat parlamentar. Ky prag kombëtar është hera e parë që po aplikohet pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të bëra gjatë vitit 2020.

Pragu kombëtar garanton që partitë parlamentare të karakterizohen nga një përfaqësim kombëtar dhe të mos jenë parti përfaqësuese vetëm në nivel qarku.

Në zgjedhjet e vitit 2009 u regjistruan si subjekte zgjedhore 4 koalicione zgjedhore me 33 parti të përfshira, 1 pati si subjekt më vete dhe një kandidat i pavarur. 

Atë vit nuk kanë shënuar rezultatin kombëtar 1%, parti me pritshmëri si Partia Demokristiane 0.88%, Partia G99 me 0.86%, Partia Socialiste e Vërtetë 91 PSV 91 me vetëm 0.43%, Partia Drejtësi dhe Integrim PDI me 0.95% të votave kombëtare.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013, ishin 66 parti pjesëmarrëse,62 morën pjesë të grupuara në dy koalicione, konkretisht Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim, 4 parti garuan më vete. Gjithashtu në proces u regjistruan edhe dy kandidatë të pavarur, Dritan Prifti dhe Arben Malaj.

Në këto zgjedhje janë dy parti që megjithëse kanë marrë më pak se 1% të votave fituan një mandat, kjo për shkak të llogaritje të votës brenda koalicionit. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, me 0.85 % të votave në rang kombëtar, shënoi një mandat parlamentar po ashtu dhe Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë me 0.46% të votave.

Në këto zgjedhje mori pjesë edhe partia Aleanca Kuq e Zi, e cila shënoi rezultat kombëtar prej 0.59 %, por pa shënuar ndonjë rezultat me mandate zgjedhore.

Në zgjedhjet e 2017, Partia Socialiste fitoi e vetme 74 mandate dhe Partia Demokratike fitoi 43 deputetë.

Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 19 deputetë, Partia Drejtësi Unitet Integrim 3 deputetë dhe Partia Social Demokrate e Tom Doshit fitoi një deputet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore