Kosova

Leyen përshëndet marrëveshjen për planin 6 miliardësh: Do të përshpejtohet rruga e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së


Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, përshëndeti marrëveshjen politike të arritur të enjten nga Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) për instrumentin e BE-së për rritje ekonomike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, derisa shtoi se ky hap do ta përshpejtojë rrugën evropiane të rajonit.

“Zgjerimi është një prioritet kyç gjeostrategjik. Instrumeti prej 6 miliardë eurosh është një hap kyç në këtë drejtim. Duke kombinuar rritjen e ndihmës financiare dhe reformat, do të përshpejtohet përparimi i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së, do të nxisë konvergjencën e tyre ekonomike dhe do t’i integrojë më mirë në tregun tonë të vetëm”.

Për miratimin formal të këtij plani duhet të votojë edhe PE-ja. Kjo pritet të ndodhë në seancën e fundit plenare para se të shpërbëhet legjislativi evropian në prag të zgjedhjeve të reja që pritet të zhvillohen në qershor. Vlera për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, nga të cilat dy miliardë janë grante, kurse katër miliardë jepen në formën e kredive të favorshme.

Fondet e BE-së do të ndahen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të shteteve në Ballkanin Perëndimor, pas verifikimit nga KE-ja dhe konfirmimit se janë përmbushur të gjitha kushtet përkatëse në lidhje me stabilitetin makrofinanciar, menaxhimin e mirë të financave publike, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit. Gjithashtu, përfshihen edhe disa kushte politike.

Një parakusht shtesë për Kosovën dhe Serbinë, përveç përmbushjes së kritereve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe reformat institucionale, do të jetë edhe anagazhimi në mënyrë konstruktive për të normalizuar raportet mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve që burojnë nga procesi i dialogut nën ndërmjetësimin e bllokut.

Dialogu ndahet “pjesërisht” nga Fondi i BE-së, por jo edhe procesi i anëtarësimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore