Lajme

Letonia kritikon marrëdhëniet “imorale” të Gjermanisë me Rusinë dhe Kinën


Marrëdhëniet “imorale dhe hipokrite” të Gjermanisë me Rusinë dhe Kinën kanë krijuar një pykë midis Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore.

Këtë e ka deklaruar ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Artis Pabriks, në deklaratat e tij, duke nxjerrë në pah çarjet në unitetin e Perëndimit.

Ai tha se “mendimi i dëshiruar” i Evropës Perëndimore për sigurinë, ishte i dukshëm në përgjigjen e saj ndaj Rusisë, që grumbulloi më shumë se 100 mijë trupa në kufirin me Ukrainën.

Në komentet e formuluara, që nxjerrin në pah tensionet brenda NATO-s mbi mënyrën se si të trajtohej Rusia, Pabriks tha se Berlini kishte një “paaftësi imorale” për të lejuar armët, që dikur ishin vendosur në Gjermani, të dërgoheshin nga Estonia në Ukrainë për të ndihmuar mbrojtjen e saj kundër një pushtimi të mundshëm.

Kompanitë gjermane po kërcënojnë gjithashtu të largohen nga Lituania në lidhje me mosmarrëveshjen e saj me Kinën.

NATO është nën presion për t’iu përgjigjur jo vetëm sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, por kërkesave të saj për të rikthyer zgjerimin e aleancës në Evropën Lindore dhe për të ndryshuar strukturën e sigurisë së kontinentit.

Vendet e Evropës Lindore janë të tronditura nga refuzimi i Berlinit për të dërguar armë vdekjeprurëse në Ukrainë.

Armët ishin me bazë në Gjermaninë Lindore përpara se të transferoheshin fillimisht në Finlandë dhe, më pas, në Estoni.

Pabriks sugjeroi se Rusia do të kërkonte të përdorte rezervën e gjermanëve për të vepruar.

“Ata do të përpiqen ta shfrytëzojnë atë”, paralajmëroi ai.

Estonia, Letonia dhe Lituania në vitin 2004 u bënë të vetmet shtete ish-sovjetike që u bashkuan me BE-në dhe aleancën e NATO-s.

Ata janë ankuar se janë injoruar për rreziqet e luftimeve të Moskës në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në 2014 me aneksimin e Krimesë.

Pabriks tha se një pjesë e kësaj ishte për shkak se Evropa Perëndimore ishte më larg nga Rusia.

“Ata kanë vite që jetojnë në paqe. Ata mendojnë për gazin, eksportet dhe bashkëpunimin. Për ne, vendet kufitare, është ndryshe. Për ne është ekzistencial. E kaluara jonë nuk jep shumë mundësi për të besuar vetëm Rusinë. Do të ishte vdekje për ne”.

Kancelaria dhe Ministria e Jashtme në Berlin refuzuan të komentojnë.

Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme gjermane, mbrojti ndalimin e vendit për eksportet e armëve në Ukrainë, duke thënë se lejimi i tyre do të përfaqësonte “një ndryshim 180 gradë në politikën tonë të jashtme” që rrezikonte “mbylljen e derës për depërshkallëzimin”.

Letonia propozoi të enjten një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes nga objektivi i NATO-s prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2.5 për qind.

Pabriks tha se, pavarësisht kësaj, trupat amerikane ishin të nevojshme në Baltik, duke u bërë jehonë thirrjeve të kryeministrit të Estonisë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore