Kosova

Lekaj: Koeficienti në Ligjin e Pagave të jetë së paku 130 euro, ose e dërgojmë në Kushtetuese


Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar se partia e tij do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e Pagave, nëse vlera e koeficientit është nën 130 euro.

“Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës e kemi bërë të qartë që vlera e koeficientit së paku të jetë 130 euro, dhe nëse nuk vjen deri te kjo shumë, atëherë ne mund ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese. Ne kërkojmë që mos të jetë më pak se 130 euro vlera e koeficientit, sepse nuk do të ndikojë dhe nuk do të kemi rritje të pagave siç kanë kërkuar edhe sindikatat por edhe shërbyesit civil”, tha Lekaj për Ekonomia Online.

Lekaj ka theksuar se “ajo që ne e kemi parë deri më tani, është që Qeveria nuk po dëshiron të tregoj të vërtetën dhe i ka lënë në ankth afër 80 mijë shërbyes civilë”.

“Është e pakuptimtë të miratohet ligji në Kuvend pa koeficient dhe të nënshkruhet nga presidentja dhe të mos e dimë vlerën e koeficientit”.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër e kanë votuar Ligjin për pagat në sektorin publik.

Por, kundër këtij Ligji kanë dalë partitë opozitare.

Që nga viti 2020 çështja e Ligjit për pagat është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Në prag të grevave e protestave, sërish – Ligji i premtuar për Pagat akoma askund

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore