Lajme

Në prag të grevave e protestave, sërish – Ligji i premtuar për Pagat akoma askund


Një protestë e punëtorëve në Prishtinë.

Që nga viti 2020 çështja e Projektligjit për pagat është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

Sektori i shëndetësisë, arsimit dhe ai i zjarrfikësve kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të zbatohet nga viti 2022.

Ky projektligj disa herë kishte dështuar për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës, megjithatë me përpjekjet e vazhdueshme të opozitës ky projektligj do të dërgohet sërish në Kuvend me 22 dhjetor.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në një konferencë për media është shprehur se ligji i pagave duhet të hyjë në fuqi më së largu më 1 shkurt.

Ai kishte bërë thirrje që procedurat e Kuvendit të përfundojnë sa më shpejt.

“Ligji i Pagave duhet të hyjë në fuqi më së largu me 1 shkurt, që nënkupton procedurat në Kuvendin e Kosovës duhet të përfundojnë sa më shpejtë që është e mundur dhe propozimi që e kemi dhënë ne si grup parlamentar në seancë të votohet në Kuvend”.

Tahiri, kishte thënë se s’do të mbështesin asnjë nen që e rrezikon këtë ligj.

“Nuk duam lojë dhe nuk do të mbështesim asnjë nen që potencialisht e rrezikon këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese, e kjo lidhet po ashtu edhe me parashikueshmërinë e pagës”, ka theksuar Tahiri.

Ishte pikërisht ligji i pagave arsyeja se përse mësimi filloi një muaj me vonesë në shkollat e Kosovës.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

Foto: Albanian Post.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, Rrahman Jashari, thotë për Albanian Post se i mbetet Qeverisë së Kosovës nëse dëshiron të parandalojë protestat dhe grevën e kësaj sindikate.

“Çështja është kështu kërkesë e vetme tani për tani është rregullimi i projektligjit për pagat realizimi i të cilës nëse nuk ndodh mund të na dërgoj në protesta po se po, por edhe në greva”, deklaroi Jashari për AP.

Sipas Jasharaj, qasja e Qeverisë ka qenë e gabuar me sindikatat.

“Kemi pasur një qasje të gabuar të Qeverisë Kurti ndaj sindikatave por edhe ndaj dialogut, pasi edhe për kundër dhjetëra shkresave qoftë në emër të BSPK-së por edhe të SBASHK-ut, nuk janë përfill kërkesat tona për dialog”.

Sipas Jasharaj, “më e keqja e kësaj është se nuk kishim informacione të duhura dhe na iku ai premtimi që e dha Sveçla, se në mars do ta kemi ligjin e pagave, e të cilit i besuam në deklarata. Por ndodhi që nuk u bë”.

Miratimi i Ligjit të Pagave mund të parandaloj grevën në sektorin e arsimit.

“Greva mbetet si opsion i hapur dhe këtë afat e kemi lënë deri në janarin e vitit 2023. Po shkuan gjërat ashtu siç duhet po atëherë në janar mund të kemi lajme të mira dhe mund të merret vendimi për mbyllje të grevës”.

Por, përveç arsimit, edhe tri sindikata të tjera ajo e policisë, e shëndetësisë dhe zjarrfikësve disa herë kishin paralajmëruar protesta për miratimin e këtij ligji.

Njohësi i çështjeve të shëndetësisë dhe mjeku Blerim Syla, i kontaktuar nga Albanian Post, kishte sqaruar se edhe Sindikata e Shëndetësisë ka vetëm një kërkesë.

“Ne kemi vetëm një kërkesë, rregullimin e ligjit të pagave dhe sindikatat duhet të përfshihen në këtë grup”.

Syla, ka paralajmëruar se “ky ligj duhet të aprovohet nga Qeveria e Kosovës me buxhetin e vitit 2022, për ndryshe grevat vazhdojnë”.

Ai deklaroi se ligji për pagat prek mijëra shërbyes publikë dhe se sipas tij ata kanë të drejtën të përfshihen në diskutim.

“Nuk është dëshirë e jona, por është si pasojë e neglizhencës së qeverisë aktuale edhe pse ne e kemi parë të nevojshme të bisedohet”.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në protestë para Qeverisë.

Një protestë e ngjashme ishte paralajmëruar edhe nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, por jo edhe grevë për shkak të pamundësive ligjore për një gjë të tillë.

Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka, kishte deklaruar për Albanian Post se po presin që ligji i pagave të hyj në fuqi dhe pastaj të shohin ndryshimet, “jemi duke e analizuar çështjen e protestës”.

Ndërsa, bëri të ditur se aktualisht pagat janë prej 280 euro deri në 330 euro.

Beka, shprehet se kërkesat e zjarrfikëseve ndaj ekzekutivit janë të shumta.

“Të rregullohet statusi i zjarrfikësve, të definohen kompetencat menaxhuese, të sigurohet buxhet për zjarrfikësa pasi që janë pa vija buxhetore të planifikuar”.

Ai thotë se të nevojshme janë edhe, “pajisjet për punë, kompensimet për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit të punës, nivelizimi i koeficientit për të gjithë zjarrfikësit, si dhe rritja e numrit të zjarrfikësve dhe pranimi i zjarrfikësve të rinjë”.

Zjarrfikësit ne protestë.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore