Lajme

“Legjitim dhe korrekt”, Rashiç për peticionin e largimit të kryetarëve në Veri


Si proces legjitim dhe korrekt e ka cilësuar nënshkrimin e peticionit i cili do të hap rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në Veri të Kosovës, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç në një intervistë për Ekonomia Online.

“Ky është proces legjitim korrekt është i përcaktuar prej institucioneve kosovare sikurse që është prej anës së Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe unë jam në fund i bindur se procedurat të cilat i përcaktojmë ne si institucion ose vet institucionet që e kanë të drejtën me kreditin e dokumenteve. Kemi pasur të drejt prej fillimit që duhet një zgjidhje sistematike. Jo propozime që kemi pasur me improvizime”, tha Rashiç.

Po ashtu ai ka shtuar se dizajnimi i Udhëzimit Administrativ, ka qenë dëshmi që krijimi i bazave ligjore është diçka që institucionet në Kosovë dinë ta bëjnë me profesionalizëm.

“Opsioni i parë ka qenë dorëheqja e kryetarëve, dhe kjo e ka pasur një konotacion shumë të çuditshëm që kryetarët ta japin dorëheqje  pas një kohe të shkurtër, pavarësisht se nuk i hyjnë legjitimitetit unë po flas për legalitetin dhe në këtë rast kur dizajnohet Udhëzimi Administrativ për mua është një dëshmi që krijimi i bazave ligjore është diçka që institucionet e Kosovës janë të gatshme ta bëjnë në mënyrë profesionale”, theksoi Rashiç.

Tutje, Rashiç theksoi se nënshkrimi i peticionit është vetëm iniciativa fillestare e gjithë procesit, por që ai bëri thirrje që e gjithë procedura të respektohet.

Ndryshe, nënshkrimi i peticioneve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në Veri të Kosovës, ka përfunduar.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit 2023, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

BE-ja kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore