Sport

LeBron James është pikëshënuesi më i mirë në historinë e NBA


Simbolikisht, Kareem Abdul-Jabbar i pasoi topin një LeBron James-i 39-vjeçar, dhe historik.

Pas 20 sezoneve të luajtura në ligën amerikane të basketbollit NBA, në 1 mijë e 410 ndeshje, ai ka arritur të shënojë 38 mijë e 390 pikë, duke u kthyer kështu në pikëshënuesin më të mirë në historinë e basketbollit amerikan.

Nëse do të ishte fituar edhe ndeshja ku rekordi u thye, përballë Oklahoma City Thunder, nata nuk mund të kishte qenë më e përkryer për “Mbretin”.

“Të jem në praninë e një legjende dhe njeriu të madh si Kareem, do të thotë kaq shumë për mua”, tha James pasi theu rekordin e pikëve dhe teksa Abdul-Jabbar, i jepte simbolikisht topin e stafetës.

LeBron-it i duheshin 36 pikë për ta arritur legjendën e Lakers-ave dhe ai e bëri këtë pikërisht me të njëjtën fanellë.

Emocionet mbi arritjen, nuk i përmbajti kurrsesi James.

“Të gjithë ata, të cilët më mbështetën në këto 20 vite e më shumë karrierë, duhet ta dinë se pa ata, asgjë nuk do të ishte e mundur”.

Pasioni, sakrifica, të gjitha vështirësitë e kaluara në dy dekada, kanë qenë ato çfarë e motivuan legjendën e sportit në arritjen e një finishi të tillë.

Vetë Abdul-Jabbar, i cili u tërhoq në vitin 1989 nga NBA dhe e mbajti rekordin për më shumë pikë të shënuara deri sot, tha se karriera e LeBron, është ajo e një njeriu, i cili prej ditës së parë, planifikoi të dominonte sportin e bukur të basketbollit.

Të vegjlit tani, do të kenë një yll polar të ri, nëse duan të thyejnë rekordin e pikëve.

Ai është LeBron James.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore