Shqipëria

Lea Ypi, një shqiptare që e ka prekur nga afër përbuzjen e Mbretërisë së Bashkuar


Ajo e ka prekur nga afër mizorinë dhe përbuzjen e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.

Por deri vonë, historitë që ka kaluar nuk i janë dukur se kanë diçka unike, por thjesht se ishin një fatkeqësi e zakonshme e çdo emigranti atje.

Por sot, Lea Ypi mendon ndryshe.

Teksa dëgjon deklaratat e vetë sekretares së Brendshme britanike, Suela Braverman, se shqiptarët janë “kriminelë”, asaj i kthehen të gjitha vuajtjet dhe kujtimet me të famshmin sistem anglez të migrimit.

Në revistën britanike “New Statesman”, në rubrikën e historive personale, Ypi ka ndarë rrëfimin e saj për emigracionin.

Pyetjet e gazetarëve britanikë i vijnë si një fletërrufe.

Ata e pyesin se pse kaq shumë burra shqiptarë duan të kalojnë kanalin dhe mendja i vete te i vëllai që nuk ka mundur ta vizitojë kurrë në 14 vite që ajo ka jetuar në Britani.

Ai nuk e di se ku ndodhet banesa e saj, dhe nuk e ka parë kurrë shkollën e nipërve të tij.

“Ai nuk e apeloi asnjëherë vendimin fillestar për refuzimin e vizës dhe nuk aplikoi për herë të dytë, sepse e di, si të gjithë, se nëse je një i ri shqiptar në moshë pune, është pothuajse e sigurt se do të refuzohet hyrja”, tregon Ypi.

Kjo në një kohë kur vetë shkrimtarja shqiptare ishte kaq pranë dëbimit nga Mbretëria.

Arsyeja: nuk kishte takime lokale për të aplikuar për leje të mëtejshme qëndrimi, e kështu një emigranteje shqiptare i duhet të udhëtonte së bashku me fëmijën që në orët e para të agimit për të dhënë një intervistë imigracioni në Glasgow.

“Ishte koha që mu desh të riplanifikoja leksionet e mia të politikës në “London School of Economics” në mënyrë që t’i listoja përmbajtjen e çantës sime një zyrtari të emigracionit, si një mënyrë për të provuar aftësinë time në anglisht (me sa duket, ishte e nevojshme të fokusohesha në çantë për të shmangur historitë personale të luftës ose dhunës)”.

Por, nuk duhet të bënte vetëm kaq.

Ajo duhet të gjente email-et e para romantike që kishte shkëmbyer me bashkëshortin e saj anglez.

Në këtë mënyrë do të plotësonte kërkesën e zyrës për të vërtetuar se martesa nuk ishte false.

Lea Ypi: Shqiptarët, kokat e turkut për dështimin e projektit ideologjik britanik | Albanian Post

Peripecitë nuk kishin të sosur.

Më vonë kërkesa e saj për nënshtetësi britanike – që kushtoi disa mijëra paund – u refuzua, e jo për faj të sajin.

Refuzimi erdhi për shkak të një gabimi në një dokument që ishte dërguar përmes një zyre që ishte krijuar për të siguruar që nuk ishin bërë gabime.

Në janar të vitit 2016 Ypi duhet të lindte fëmijën e saj të dytë, me një prerje cezariane.

Data do të thoshte më shumë se kaq, ajo ishte data e mundshme në të cilën nëna e Leas kishte gjasa të mbërrinte në Britani.

“Viza e saj dyvjeçare, me të cilën ajo kishte mundur të vinte më parë, do të skadonte një javë pas datës së lindjes së foshnjës. Ne kishim aplikuar me sukses për viza në të kaluarën dhe shpresonim që ajo të miratohej”.

Edhe pse e ëma nuk e pëlqen Britaninë, ajo tentoi të vijë për hir të ndihmës ndaj fëmijës.

Sipas autores, anglishtja e saj është mjaft e mirë për të blerë ushqime dhe për të marrë fëmijët, por nuk e lejon atë të bëjë gjërat që i pëlqejnë në Tiranë: të bisedojë me fqinjët teksa pinë kafe spontane, apo të debatojë me dyqanxhinjtë.

Por gjërat nuk shkojnë gjithmonë sipas planifikimit.

Fëmija erdhi në jetë dy javë më herët.

Britma, doktorë, 27 qepje, fëmijë, dhimbje dhe telefonata me nënën.

Këto rikujton Ypi ndërsa përpiqet të kthehet pas në kohë.

“Do të jem së shpejti me ty”, i kishte thënë e ëma, por pak ditë më vonë, mbërriti një letër me titull “Refuzimi i vizës”.

Letra niste me faktin se shtetasja Vjollca Ypi kishte marrë një sërë viza në të kaluarën dhe se kur kishte aplikuar për një të re, e vjetra ishte ende e vlefshme.

“Por unë kisha bërë gabim duke përmendur në aplikim se doja të vinte nëna ime sepse kishte mundësi të kisha nevojë për ndihmë pas lindjes”.

Në letrën e autoriteteve të emigracionit shkruhej se “në formularin tuaj të aplikimit për vizë, thuhet se qëllimi kryesor i vizitës suaj është të qëndroni në shtëpinë e vajzës suaj dhe ta ndihmoni atë të kujdeset për nipin tuaj dhe punët e shtëpisë”.

Kishte një por.

“Rrethanat tuaja nuk kanë arritur të më bindin se qëllimet e tua janë ato të një vizitori të vërtetë. Unë nuk jam i kënaqur që keni demonstruar nevojën për t’u larguar nga MB pas vizitës suaj të propozuar”.

“Unë nuk jam i kënaqur që nuk do të jetoni në MB për periudha të gjata përmes vizitave të shpeshta ose të njëpasnjëshme ose që nuk do ta bëni MB-në shtëpinë tuaj kryesore”.

E teksa Lea qante me foshnjë e porsalindur, e ëma e siguronte se “ata e bëjnë këtë gjatë gjithë kohës”

“Ata” – shpjegon Lea – sepse njerëzit nga vendet ish-komuniste shpesh përdorin “ata” jopersonale kur i referohen pushtetit arbitrar të autoriteteve burokratike me të cilat janë mësuar.

Pas këtij vendimi Ypi u konsultua me një avokate të emigracionit për t’i thënë se do ta apelonte.

Por, ajo i shpjegoi se kjo nuk do e ndihmonte, pasi shumica e vizave refuzohen kur nuk arrijnë të bindin zyrtarët e lejes se aplikantët synojnë të largohen.

“Të kujdesesh për nipërit është gjithmonë një gjë e vazhdueshme të cilën duhet ta bësh”, tha ajo.

Për autoren shqiptare, sistemi i emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar nuk gjen kriminelë – ai i krijon ata.

“Ai projekton qëllimin kriminal shumë përpara se të ketë ndodhur ndonjë akt kriminal. Por është e vështirë t’i shpjegosh ndonjë nga këto dikujt që nuk e ka përjetuar vetë mizorinë, përbuzjen, arbitraritetin moral të autoriteteve të emigracionit”.

Sipas saj, ata që promovojnë këtë retorikë në Mbretërinë e Bashkuar, qartësisht nuk ka qenë kurrë në zyrën e vizave.

“Ata nuk i kanë parë kurrë radhët, shprehjet e tensionuara në fytyrat e burrave, grave dhe fëmijëve, të moshuarve me bastun teksa qëndrojnë përpara oficerëve të emigracionit, sikur të qëndronin përpara Zotit në Ditën e Gjykimit”.

“Ata kurrë nuk i kanë parë lotët në sytë e tyre kur një dosje rrëshqet nën një dritare xhami ose u arrin një letër që i informon se u është ndaluar hyrja”.

Pavarësisht rrethanave, Lea Ypi qëlloi me fat.

Disa muaj pas lindjes, ajo arriti të takonte familjen në Bruksel, pasi ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë, mundet ta përballojë udhëtimin dhe hotelin.

Një detaj i vogël, nëna e mori vizën, por kur aplikoi si turiste dhe një pronare e pasur shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore