Lajme

Le Pen do të mundte Macron nëse përsëriten votimet presidenciale franceze


Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen do të mundte Emmanuel Macron nëse zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar do të përsëriteshin tani, sugjeroi një sondazh shokues të mërkurën në prag të protestave të reja kundër reformës së pensioneve të qeverisë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “AFP”, duke cituar sondazhin nga grupi Elabe për kanalin televiziv BFMTV.

Ajo tregoi se Le Pen do të shënonte 55 për qind dhe presidenti Macron 45 për qind nëse do të përballeshin me njëri-tjetrin në një balotazh.

Prillin e kaluar, Macron mundi Le Pen me një diferencë prej 58.5 për qind ndaj 41.5 për qind për t’u bërë presidenti i parë francez që fiton një mandat të dytë në dy dekada.

“Emmanuel Macron do të luftonte për të mbajtur elektoratin e tij, vetëm shtatë nga 10 do të votonin përsëri për të nën këtë hipotezë”, tha për BFMTV Bernard Sananes, kreu i Elabe-s. “Dhe vota bllokuese (kundër të djathtës ekstreme) do të ishte shumë më e ulët”.

Sipas Sananes, në rastin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, fitorja e Le Pen do të ishte “mbresëlënëse” dhe “ajo do të fitonte vota shtesë në të gjitha kategoritë elektorale”.

Ai, megjithatë, theksoi se sondazhi ishte hipotetik, pasi zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë janë katër vjet larg dhe Macron nuk do të mund të merrte pjesë në të.

Popullariteti në rritje i liderit të ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar” lidhet kryesisht me reformën e diskutueshme të pensioneve, e cila kundërshtohet nga rreth tre të katërtat e popullsisë franceze.

Le Pen praktikisht nuk ndërhyri në debatin për reformën, vetëm së fundmi deklaroi se nëse partia e saj vjen në pushtet, ajo do të shfuqizohet dhe një propozim alternativ do të kalojë në referendum.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore