Lajme

LDK, Qeverisë: Jeni ekzekutivi që e keni shkelur më së shumti Kushtetutën


Ilustrim

Në 15-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës konsideron se Qeveria aktuale e Kosovës, është ekzekutivi që më së shumti e ka shkelur aktin më të lartë juridik të vendit.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri teksa ka listuar disa nga shkeljet kushtetuese të bëra nga Qeveria Kurti në këto dy vjet të qeverisjes, u shpreh se ky kabinet qeveritar nuk i respekton as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Për fat të keq Qeveria e Kosovës ka krijuar një traditë të shëmtuar të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kemi një qeveri që jo vetëm e shkel Kushtetutën, por edhe nuk i respekton vendimet e Kushtetueses, siç është tani rasti kur dy ministre vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë përkundër që janë shkelëse të Kushtetutës dhe ky fakt ia humb çdo legjitimitet kësaj qeverie që të vazhdojë të qeverisë dhe të ofrojë barazi e drejtësi për qytetarët sepse vetë këta nuk e respektojnë Kushtetutën që është themeli i barazisë së qytetarëve”, ka thënë Tahiri në një intervistë për Kosova Press.

“Kjo është qeveria që mbahet mend që e ka shkelur më së shumti Kushtetutën dhe një qeveri recidiviste, më herët kur është shkelur Kushtetuta kanë dhënë dorëheqje, kanë krijuar një precedent të mirë të paktën të respektimit të vendimeve të Kushtetueses”.

Për nder të Ditës së Kushtetutës, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka shprehur keqardhje që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime anti-kushtetuese.

Sipas tij në Qeveri ka një kryeministër dhe shumë ministra të cilët kanë bërë një varg shkeljesh që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime anti-kushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cënimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi: Kemi një Qeveri që merr vendime anti-kushtetuese

Kritika në Ditën e Kushtetutës ndaj Qeverisë pati edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka kërkuar nga Qeveria aktuale të tërhiqet nga sjelljet kundër-kushtetuese duke ruajtur kështu sigurinë juridike e cila, sipas tij, është ndërtuar me vite.

“Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës”, kishte shkruar Haradinaj.

Haradinaj, Qeverisë: Me sjellje kundër Kushtetutës humbni legjitimitetin dhe legalitetin tuaj

Të njëjtën thirrje për Qeverinë, sikur ish-kryeministri i Kosovës, ka pasur edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ish-kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, Kuçi, si shumë të rëndësishëm e sheh respektimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe në raste kur ai aktgjykim ka prishur balance politike apo pozita personale.

Prandaj, sipas tij, si në të kaluarën edhe Qeveria aktuale duhet që të vazhdojë traditën e respektimit të aktgjykimeve të Kushtetueses në atë mënyrë që të mos prishet piramida e drejtësisë.

Kuçi: Qeveria duhet t’i respektojë aktgjykimet e Kushtetueses

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore