Lajme

Krasniqi: Kemi një Qeveri që merr vendime anti-kushtetuese


Memli Krasniqi

Ndërsa 9 prilli shënon 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka shprehur keqardhje që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime anti-kushtetuese.

Sipas tij në Qeveri ka një kryeministër dhe shumë ministra të cilët kanë bërë një varg shkeljesh që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime anti-kushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cënimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë”, ka shkruar Krasniqi.

“Megjithatë, PDK mbetet e përkushtuar ta mbrojë dhe ruaj këtë akt thelbësor të shtetësisë së Republikës sonë, duke denoncuar çdo veprim që bie ndesh me dispozitat themelore dhe rendin tonë kushtetues. Urime Dita e Kushtetutës, qytetarë të Kosovës!”, ka shtuar ai.

Kritika në Ditën e Kushtetutës ndaj Qeverisë pati edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka kërkuar nga Qeveria aktuale të tërhiqet nga sjelljet kundër-kushtetuese duke ruajtur kështu sigurinë juridike e cila, sipas tij, është ndërtuar me vite.

“Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës”, kishte shkruar Haradinaj.

Të njëjtën thirrje për Qeverinë, sikur ish-kryeministri i Kosovës, ka pasur edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ish-kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, Kuçi, si shumë të rëndësishëm e sheh respektimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe në raste kur ai aktgjykim ka prishur balance politike apo pozita personale.

Prandaj, sipas tij, si në të kaluarën edhe Qeveria aktuale duhet që të vazhdojë traditën e respektimit të aktgjykimeve të Kushtetueses në atë mënyrë që të mos prishet piramida e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore