Lajme

Latifi: Jemi duke e përgatitur Ligjin për Sigurime Shëndetësore, pritet që të dërgohet për miratim


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është takuar të premten e 29 prillit me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Gjatë këtij takimi, temë diskutimi ka qenë edhe ligji për sigurime shëndetësore.

“Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, njoftoi Kryetarin Hykolli dhe z. Ymeri se Grupi Punues i Ministrisë së Shëndetësisë është duke përgatitur Ligjin për Sigurimin Shëndetësor dhe pritet që gjatë muajt në vijim të dërgohet për miratim”.

Tutje bëhet e ditur se Latifi ka ftuar kryetarin e BSPK-së që të propozojë anëtarët e Grupit Punues nga radhët e BSPK-së për të marrë pjesë në përgatitjen e Ligjit.

“Dialogu i sotëm u vlerësua i suksesshëm dhe i duhur nga Partnerët Socialë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në takim me Bashkimin e Sindikatave të Pavarur të Kosovës.

Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).

Duke mos pasur sigurim shëndetësor edhe te qytetarët është krijuar një kulturë e funksionimit ndryshe në raport me shëndetësinë.

MSH-ja, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore