Shqipëria

Larg atij, abuzuesit seksual të të miturve


Fytyra e përvuajtur të trondit, të rrëzon përtokë.

Sytë e saj të përlotur, si të kenë parë mizoritë e një jete të tërë me dhimbje, të ballafaqojnë me më të keqen.

Vështron e frikësuar e njëherazi në pafajësi, ashtu e tulatur. Nuk arrin ta gjej pse-në. As ta kërkojë s’mundet.

Ajo ditë… gjithë çfarë ndodhi, e drithëron.

E si mund të jetë kjo pamje e rënduar e një fëmije? As nuk mund të përfytyrohet.

E si mund të jetë kjo krijesë kaq e brishtë viktimë?

Kërcënuesi i të voglës

Ndodh.

Ndodh që të vegjlit të jenë pre e abuzuesve seksualë. Edhe pse ndëshkimet s’ndalen, rastet vazhdojnë.

Aq sa nganjëherë, duket sikur sa vijnë e shtohen pareshtur. Kjo sjell edhe nevojën për të kuptuar sjelljen e tyre abuzuese, në çdo aspekt.

Për psikologen klinike Destemona Çelo, është e nevojshme të kuptohet se pedofili vepron në mënyrë detyruese.

Paçka nëse është femër apo mashkull, abuzuesi nxitet nga tre motivime themelore.

Kërkon butësi, ushtrim fuqie ose impulse sadistike, duke angazhuar strategji të ndryshme të sjelljes bazuar në mirësi, joshje, bashkëveprim ose kërcënime, poshtërim dhe kënaqësi nga shkaktimi i dhimbjes.

Çelo tregon për Albanian Post se abuzimi nga gratë është injoruar ose neglizhuar nga hulumtimet pasi perceptohet si më pak serioz se abuzimi i një burri.

“Përgjithësisht besohet se gratë nuk janë në gjendje të kryejnë një abuzim, sepse kjo shkon kundër stereotipit femëror që e identifikon gruan si të aftë për të mbrojtur, ushqyer dhe pa instikte agresive dhe seksuale”, thotë ajo.

Ngjashëm si një grabitqar, abuzuesi përdor strategji dhe taktika për të kapur prenë e tij.

Psikologia dallon se, në këtë kuadër, abuzuesi ndërton situata lehtësuese. “Nuk është rastësi që abuzuesi shpesh bën një punë ose zhvillon aktivitete që e lejojnë atë të jetë në kontakt me fëmijët ose të rinjtë”.

Ai e zgjedh viktimën e tij. Jo të gjithë fëmijët janë të prirur për t’u abuzuar.

“Abuzuesi beson se ata nuk janë në gjendje të reagojnë, se nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me ta dhe mbi të gjitha se ata nuk do të jenë në gjendje të flasin ose nuk do të besohen”, sqaron Çelo.

Kështu, ai zgjedh një fëmijë të varfër dhe vulnerabël, i cili është i lehtë për t’u abuzuar, një fëmijë të vogël, dikë me aftësi të kufizuara ose një fëmijë që ka vështirësi emocionale, një fëmijë që nuk ka shumë miq dhe që nuk është pjesë e një grupi.

Po ashtu krijon “barriera fizike dhe psikike për të izoluar viktimën”. Për këtë, ai mund të inkurajojë nënën ose prindërit e fëmijës që t’ia besojnë fëmijën ose gjen strategji për aleancë me ta.

Abuzuesi, nga ana tjetër, mund ta mbajë fëmijën me frikë, kërcënim, shantazh emocional dhe izolim.

“Kërcënime të tilla mund të arrijnë një nivel shumë të lartë frike, që e vendos fëmijën përpara një drame, në të cilën shansi i tij i vetëm është që të dorëzohet dhe ta mbajë gjithçka të fshehur”, shpjegon ajo.

Në studimet mbi identitetin dhe personalitetin e abuzuesit, sipas saj, janë identifikuar faktorët e rrezikut, duke përfshirë krimet e mëparshme, historinë e punës dhe familjen problematike.

Alkooli dhe droga luajnë një rol të vogël.

Në disa rrethana, vijon psikologia, kur abuzimi është seksual dhe fizik, i zgjatur, i dhunshëm dhe nga disa anëtarë të familjes, dëmi konjitiv dhe emocional është aq i rëndë sa fëmija nuk beson se mund ta “shpëtojë veten”.

Dhe se për këtë arsye, ai nuk do të jetë në gjendje të marrë mbrojtjen që mund t’i ofrohet.

Drejt shërimit

Me largimin e fëmijës nga mjedisi abuziv, Çelo tregon se realizohet ndërprerja e izolimit, thyerja e sekretit pasi fëmija tregon ngjarjen, fillimi i ndërtimit të një identiteti pa abuzim dhe intensifikimi i marrëdhënieve të shëndetshme.

“Terapia, brenda kësaj kornize, do të varet fuqimisht nga konteksti. Në mjedisin klasik terapeutik, realiteti i jashtëm mbetet jashtë, në mënyrë që puna të mund të përqendrohet në dinamikën intrapsikike”, thotë ajo.

Por, në rastin e abuzimit seksual, “terapisti duhet të ketë në mendje se trauma nuk është e brendshme, por e lidhur me ngjarje të jashtme që kanë ndodhur në të vërtetë”.

Sipas psikologes klinike, zyra e terapisë nuk mund të shkëputet nga realiteti.

Sepse fëmija, që të shërohet dhe të përfitojë nga kompensimi emocional, duhet të jetë në gjendje të kuptojë, përpunojë dhe përballojë fazat e kërkuara nga procesi gjyqësor.

Prandaj, terapisti duhet të jetë në gjendje të përdorë informacionin e nevojshëm për të siguruar “ndërhyrje të përshtatshme”.

Çelo zbulon se i rrituri që vëzhgon fëmijën, qoftë prind, psikolog, edukator ose mësues, sheh shpesh manifestime të sikletit, të shprehura ndoshta nga një vizatim ose një simptomë ose një histori.

“Simptomat, vizatimet dhe sjelljet e fëmijës veprojnë si pjesë që presin të kuptohen nga një i rritur, i pajisur me një ‘lente të brendshme’, i aftë për të zbuluar tërësinë, kompleksitetin e figurës që fshihet”, shton ajo.

Kështu, takimi me një të rritur, i cili e ndihmon atë t’i bëjë bashkë pjesët, mund të jetë “vendimtar për fillimin e një rruge të ngadaltë, graduale, por të nevojshme, të vetërindërtimit”.

“Kjo është ajo që duhet të ndodhë në terapi”, ravijëzon ajo.

Në skutat e viktimës

Për psikologen, fëmija gjendet në një pozicion inferior në krahasim me të rriturit, si në dimensionin fizik, ashtu edhe në atë konjitiv dhe relacional.

“Ai nuk mund ta kuptojë plotësisht atë që po ndodh, mund të mos jetë në gjendje të kuptojë atë që i është kërkuar dhe mund të mos e ketë aftësinë për të zgjedhur dhe për të refuzuar”, thotë Çelo.

Ajo i referohet një studimi të kryer në vitin 1995 nga psikanalisti hungarez Peter Fonagy, në bazë të të cilit keqtrajtimi i fëmijëve mund ose mund të mos ketë pasoja serioze afatgjata, në varësi të aftësisë së fëmijës për të hyrë në një marrëdhënie të rëndësishme atashuese.

Kjo e fundit mund t’i sigurojë atij bazën ndërpersonale për zhvillimin e aftësive të mentalizimit.

“Nëse kjo mundësi është e pranishme, fëmija është më i aftë ta përpunojë përvojën traumatike dhe ka më pak shanse të zhvillojë shqetësime të personalitetit”, tregon ajo.

Kështu, sipas Fonagy, familja dhe mbështetja psikologjike e aktivizuar për të ndihmuar dhe mbrojtur fëmijën bëhen faktorë  që ndikojnë dukshëm në rivendosjen e mirëqenies së tij.

Por fëmija mund të përjetojë simptoma të stresit postraumatik (PTSD) si flashback, makthe, ndjenja faji, zhgënjimi, izolim, ndjesi pavlefshmërie, shkëputje nga realiteti për të mos ndjerë dhimbjen.

Këto efekte negative, vijon Çelo, mund të përjetohen për një periudhë të shkurtër. Pa anashkaluar edhe përjetimin për një periudhë të gjatë kohore.

“Traumat e çdo lloji kanë efektin e ushtrimit të një ndikimi të ngjashëm me një tingull shumë të fortë në sistemin psikik. Ndjenja e jetës së brendshme është shkatërruar. Personi jeton si i huaj pa lidhje shoqërore dhe ndjenja e unit ngushtohet”, shton ajo.

Dhe se e gjitha varet nga intensiteti i traumës.

“Viktima është e tjetërsuar dhe e frikësuar. Meqenëse truri dhe trupi janë një unitet i dyfishtë, ngushtimi i ‘unë/mua’ shoqërohet me ndryshime trupore”, tregon psikologia.

Çka mund të bëjë që individi të ndjehet i vogël dhe pa qëndrueshmëri.

Literatura, në përgjithësi, nxjerr se ashpërsia në pasojat e abuzimit seksual varet nga disa faktorë.

Ndër to përfshihen variablat që lidhen me personalitetin e fëmijës, ngjarjen e abuzimit dhe rolin e dhunuesit, kontekstin familjar të fëmijës dhe kontekstin shoqëror.

“Për viktimën është thelbësore të dijë se të tjerët e kuptojnë vuajtjen dhe dhimbjen e tij”, thekson psikologia Çelo.

I padukshëm

Studimet mbi fenomenet e traumave psikike vazhdimisht luftojnë kundër tendencës për ta bërë viktimën “të padukshme”.

Sipas saj, debati mbetet ende në qendër të pyetjes themelore nëse këto dukuri janë të besueshme dhe të vërteta.

“Shoqëria jonë vë në dyshim vazhdimisht historinë e viktimës, e vendos përballë përgjegjësisë, fajit”, vë në dukje Çelo.

Si do t’i zbulojmë dhe gjejmë ata që janë viktima?

Si të gjejmë një rrjet ndihme dhe mbrojtjeje nëse shoqëria vazhdon të vërë në dyshim ekzistencën e abuzimit?

Këto janë disa nga pyetjet e radhës që ajo ngre dhe që kërkojnë përgjigje.

Një studim në psikologjinë e urgjencës dhe traumës, nxjerr se përgjigja ndaj dhimbjes është “rindërtimi i pasqyrës që është thyer” brenda individit.

“Rindërtimi i një pasqyre do të thotë të gjesh veten, por edhe të kesh mundësinë e rindërtimit të një rrjeti, një pëlhurë sociale, e cila në botën e abuzimit dhe fatkeqësisht edhe në kulturën e shoqërisë sonë, ndonjëherë dëmtohet e kërcënohet”, thekson ajo.

Prandaj, për të, është me rëndësi që të krijohet një rrjet që mbështet dhe ndan përvojën dhe nevojën për ta përballuar traumën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore