Shqipëria

Pedofilia nuk ka kurë, por pa zgjidhje s’është


Sërish.

Demaskime dhe denoncime të herëpashershme, por rastet e abuzimeve seksuale ndaj të miturve s’po ndalen.

Janë edhe më pezmatuese kur kujtohet se media nuk mund të mbuloj gjithçka. Ka raste që nuk dihen, që nuk ndëshkohen.

E këtij mendimi është sociologia Entele Binjaku, e cila shprehet për Albanian Post se raste të tjera mund të mos njihet hiç si statistikë.

“Rastet në media janë një pjesë e realitetit që përmes medias si kanal komunikues vijnë në vëmendjen tonë, shumë të tjera ndoshta as nuk denoncohen apo regjistrohen si statistikë”, dallon ajo.

Shoqëria, sipas saj, ndërgjegjësohet kur mëson se ndalohen të rriturit me prirje të tilla dhe zakonisht bashkohet duke shfaqur dhe përforcuar qëndrimet kundër.

Lidhur me vetë fenomenin, Binjaku tregon se pedofilia ka ekzistuar në mesin tonë dhe se si çrregullim e ka marrë vëmendjen nga fundi I shekullit XIX.

“Individët që shfaqnin parapëlqime seksuale për të mitur kanë ekzistuar, por flitej pak, ose nën zë, ose heshtej për këtë”, thotë sociologia.

Dhe se kjo nuk është më pak e vërtetë edhe në botën e qytetëruar.

“Hapja e shoqërisë për të trajtuar tema të vështirë si ky, ka bërë që të kemi edhe statistika që duke u mbajtur nga viti në vit, ndoshta tregojnë më shumë ndërgjegjësim për denoncim se sa shtim të vetë rasteve”, veçon Binjaku.

“Por çdo rast duhet të merret në konsideratë”, thekson ajo.

Rrënjët e fenomenit

Për të pasur një njohje më të thellë të këtij fenomeni, Binjaku rikujton se studimet për pedofilinë kanë nisur të kryhen në vitet 1980  dhe shumica e rasteve të dokumentuara tregon se janë burra.

Pa përjashtuar edhe gratë me çrregullime të tilla.

Ajo e kategorizon atë një “çrregullim psikiatrik” që tregon se një i rritur apo një adoleshent pak më i madh eksperimenton ose përjeton tërheqje seksuale ndaj një të mituri që ndodhet në fillimet e pubertetit.

Te vajzat, puberteti nis në moshën 10 apo 11 vjeç, kurse tek djemtë në moshën 11 apo 12 vjeç. Por kur flasim për para-pubertetin e kemi fjalën për moshën 13 vjeç.

Një person duhet të jetë të paktën 16 vjeç dhe të jetë pesë vjet më i madh se sa fëmija që ndodhet në para-pubertet që kjo tërheqje të mund të quhet pedofili.

Ndërkaq, në manualet e Diagnozave të Çrregullimeve Mendore (DSM) pedofilia njihet si “çrregullim pedofilik”.

“Në këtë manual, pedofilia, sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, e quan atë mënyrë të përqendruar dhe intensive të eksitimit seksual që arrihet përmes mendimeve seksuale ngulmuese, fantazive, sjelljeve apo përpjekjeve që përfshijnë fëmijën para pubertetit”, dallon sociologia.

Ama pa zgjidhje nuk është.

Paçka se nuk ka ende ndonjë kurë për ta trajtuar, sipas saj, ka terapi që ndiqen për të ulur incidencën e një personi për të kryer abuzime seksuale ndaj të miturve.

Megjithatë, shkaqet e sakta të pedofilisë ende nuk janë përcaktuara. Madje, as lidhje me të shkuarën e personit.

“Studimet nuk kanë gjetur ndonjë korrelacion mes pedofilisë dhe të kaluarës apo ndonjë ngjarjeje të së kaluarës. Ka shumë studime që tregojnë se pedofilia lidhet me çrregullime neurologjike dhe patologji psikologjike”, sqaron Binjaku.

Cikli i opinionit publik

Në sferën e opinionit publik, këta individë “përbuzen”.

“Kur është fjala për fëmijë, opinioni është i pamëshirshëm në kundërshtinë ndaj tyre. Shpesh njerëzit shkojnë deri në ekstrem duke kërkuar ndëshkim të rëndë për ta”, tregon sociologia.

Por sapo kalon ky reagim, tek opinioni zë vend habia se si është e mundur të ketë njerëz të tillë, vijon Binjaku. Mosbesimi se këto gjëra ndodhin, e më pas, bashkëshoqërues bëhet ankthi dhe pasiguria për fëmijët.

Pastaj, rritet ndjeshmëria ndaj sjelljeve që mund të përbëjnë një shprehje të ngacmimit apo abuzimit seksual.

Ajo tregon se njerëzit fillojnë t’i kushtojnë më shumë vëmendje çdo lloj marrëdhënieje të të rriturve me fëmijën e tyre, sikundër ka edhe prindër që nuk e besojnë se kjo mund të ndodhë me fëmijën e tyre. “Shoqëria jonë me shumë shkelje po mësohet dhe nuk reagon, por mendoj që ndaj pedofilëve janë të prerë dhe kërkojnë ndëshkim jo vetëm moral por edhe ligjor dhe presin me padurim ligjin të veprojë”, përmbyll Binjaku.

Përpos këtyre, nuk mungojnë as efektet e teknologjisë që “kanë thyer mjaft konceptin e largësisë dhe shpesh distancat nuk ekzistojnë”.

Për sociologen, qasja në mediat sociale nuk ka përjashtuar individët e rritur që kanë tërheqje seksuale për të mitur dhe “shumë herë ka pasur denoncime për pedofilë që kanë krijuar kontaktet e tyre në rrjet”.

Sakaq, masat nuk janë krejt të mjaftueshme për të ulur numrin e rasteve.

“Sado masa të mund të merret, sërish kjo kërkon rritje të vëmendjes të të rriturve që kanë në kujdestari të miturit”, këshillon Binjaku.

Dhe se ata duhet të jenë të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj përpjekjeje që mund të bëjnë njerëzit që kanë tërheqje seksuale ndaj të miturve apo që kanë prirje për të abuzuar seksualisht me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore