Shqipëria

Edhe sa?


Ndodhi prapë.

Ai, episodi më turbullues i një shoqërie të lirë. Traumën e të cilit as melodia më vajtuese e violinës nuk mundet ta shërojë.

Si guxon ai të endet në skenarët e ditëve tona?

Është folur sa e sa herë. Është bërtitur me forcën e zërit. Është ndëshkuar. Dhe prapë është aty.

Edhe sa herë të tjera do të cenohet ajo?

Ajo, e bija e një nëne dhe e një babai. Që u tulatet e tashmja teksa dëgjojnë për atë që ka ndodhur. Që u trazohet shpirti. Që u plekset jeta.

Ajo, mishërimi i dashurisë. Që…

Edhe sa?

Përtej sensibilizimit

Tibjona Salillari, shefe ekzekutive e organizatës Balkan Women’s Voice, tregon për Albanian Post se marshimi i mbajtur në Sheshin Skënderbej kundër abuzimit seksual ndaj të miturave nuk ishte vetëm për sensibilizimin e njerëzve mbi edukimin e familjes ndaj këtij fenomeni të shpeshtë në vendin tonë.

“Një nga arsyet kryesore është ndryshimi i ligjit të dënimit me burg për përdhunuesit me anë të peticionit të sjellë në mënyrë hibride, online dhe fizikisht”, tregon Salillari.

Ndërkohë, ajo rendit edhe një arsye të dytë që ka të bëjë me krijimin e një programi mësimor për lëndën e edukatës seksuale që nga klasa e parë e deri në klasën e dymbëdhjetë.

“Shpresojmë që Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Arsimit të na ndihmojnë për zhvillimin e këtij programi”, thotë Salillari.

Ajo e përmbyll idenë e saj duke drejtuar një thirrje: “Të gjithë duhet të zgjohemi. Nesër mund të më ndodhë mua, fëmijës tim, familjes sime, vajzës apo djalit tuaj. Nesër mund të të ndodhë ty. Heshtja ndaj një fenomeni të tillë na bën po aq fajtorë sa përdhunuesi!”.

Çfarë duhet thënë?

Udhëheqësja e AlbFem-it, Fatbardhë Kiqina, shprehet për Albanian Post se në këtë moment që ndodhemi nuk ka shumë se çfarë të thuhet.

“Në njërën anë kemi raste të përsëritura të përdhunimeve në mbarë trojet shqiptare sidomos me të mitura. Në anën tjetër, kemi një shoqëri civile që është më e revoltuar se kurrë dhe që po duket sheshit se kësaj here nuk do të dorëzohemi”, thotë Kiqina.

Ajo thekson se nisma e bërjes publike të emrave dhe fotografive të përdhunuesve është nisma më e mirë që është marrë gjatë kohëve të fundit.

Kjo pasi “me një sistem të dështuar të drejtësisë që fajtorët i lë viktima, turpërimi publik është forma më e mirë e dënimit të përdhunuesve”.

Kiqina shton gjithashtu se “një regjistër publik i përdhunuesve duhet të jetë një domosdoshmëri absolute dhe një urgjencë që duhet të bëhet në të dy shtetet, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë”.

Boll më në heshtje

Leolida Xhufi, themeluese e Pink Movement, shprehet për Albanian Post se nënshtrimit po i vjen fundi.

“Gjithçka po ndodh në vendin tonë, në Kosovë dhe Maqedoni, po tregon se koha e ‘heshtjes së detyruar’ dhe nënshtrimit po mbaron”, thotë Xhufi.

Sipas saj, shoqëria jonë po proteston në të gjitha format qytetare dhe po “rebelohet” përballë diskriminimeve me bazë gjinore dhe abuzimeve.

“Fakti që ne sot po bërtasim, kur deri dje as si ide nuk e kalonim nëpër mend, tregon se po ecim përpara në rrugën e duhur”, thekson Xhufi.

Duhet edhe reagim institucional

Një aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila parapëlqen  të mbetet anonime, shprehet për Albanian Post se përpos protestave dhe ngritjes së zërit, duhet medoemos të ketë edhe reagim shtetëror.

Sipas saj, është me rëndësi krijimi i besimit se institucionet shtetërore veprojnë. Dhe kjo bën që viktimat e abuzimeve të raportojnë herët.

Gjithashtu duhet të ketë një informacion të ndarë se cilat janë shërbimet që do të marrë viktima pas denoncimit të rastit. Kjo duke ofruar psikologë, psikiatër dhe njerëz që të ofrojnë terapi në mënyrë që të zhbëhet trauma e shkaktuar. Çka ndihmon në ripërtëritjen e imazhit për veten, eliminimin e frikës dhe problemet e tjera shoqëruese të shëndetit mendor.

Aktivistja e përligj këtë ide duke sqaruar se për viktimat e dhunës seksuale shënjohen nga trauma për gjatë gjithë jetës dhe do të duhet që për një periudhë të gjatë të kenë persona që t’i ndihmojnë të kapërcejnë situatat e vështira.

“Këto shërbime nuk janë ofruar ende në mënyrë të organizuar nga shteti. Nuk mund të mbështetemi vetëm te shoqatat. Shërbime të tilla duhet të jenë në të gjithë Shqipërinë pasi nuk kushton asgjë që të trajnohen profesionistë nëpër institucione sidomos në ato arsimore”, thotë ajo.

Sipas aktivistes, nuk mjafton vetëm psikologu i shkollës. Në të shumtën e rasteve ai nuk është i njohur me situata të tilla. Dhe nevoja e profesionistëve të specializuar bëhet edhe më e fortë kur media sociale i jep vrull një tjetër metode të shantazhimit përmes fotove apo videove në formë kërcënimi.

“Kjo duket sikur nuk mund të ndryshohet, por ja që mundet nëse ka angazhim nga të gjithë, edhe nga institucionet, por edhe nga aktivistët. Këta të fundit kanë kohë që e ngrenë zërin për këtë problematikë, por ata nuk mund të dalin kundër një shoqërie të tërë që ka ende nuanca tradicionale”, ravijëzon ajo.

Aktivistja e përmbyll fjalën e saj duke thënë se “mesazhi më i rëndësishëm është se edhe sa herë do dalim të protestojmë për të njëjtën gjë, edhe sa herë do përsëriten raste të tilla”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore