Lajme

Lajmi i rrejshëm i mediave serbe: Njësitet Speciale të Kosovës po përgatiten për aksion në Veri


Njesia Speciale e Kosoves

Mediat në Serbi kanë shkruar se njësitet speciale të Policisë së Kosovës po përgatiten të futën në veri, por lajmi është krejtësisht i pavërtetë sipas një burimi të Albanian Post brenda policisë.

Ishte fillimisht gazeta serbe Novosti që raporti se “tri njësite speciale janë stacionuar në jug të Mitrovicës qysh nga mëngjesi i së premtes”, derisa më pas raportuan edhe mediat tjera se “sipas burimeve janë diku 100 trupa që janë vendosur në kampin Belvedere dhe janë gati për aksion”.

Por, gjithçka rezulton të jetë një fabrikim i mediave të afërta me pushtetin atje.

“Nuk janë fare të vërteta ato lajme, nuk ka asgjë të vërtetë”, ka thënë burimi i AP-së.

Siç kupton Albanian Post, arsye e mbledhjes së trupave të Njësiteve Speciale janë stërvitjet e zakonshme që ata i bëjnë në intervale të rregullta.

“E për që frikësohen ata pse ne ushtrojmë, nuk kemi faj, sepse ne duhet të ushtrojmë dhe të jemi të përgatitur gjithmonë”, shpjegon burimi, duke sqaruar se “ashtu bëjmë çdo herë në periudha të ndryshme të vitit”.

Por, mediat në Serbi, siç shkruajnë duke u bazuar në burime, kanë raportuar se autoblinda me pjesëtarë të specialëve brenda kanë ardhur qysh herët në mëngjes dhe se janë të armatosur rëndë.

Brenda lajmit gjithashtu janë munduar të tërheqin një paralele mes situatës së sotme dhe asaj të 13 tetorit kur njësitet speciale ndërmorën aksionin për targat në Veri të Kosovës.

“I njëjti stacionim ka ndodhur edhe në ndërhyrjen e Ruso-s në veri në tetor të këtij viti”, shkruante gjatë ditës Kurir.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore