Lajme

Lajçaku në Kosovë, takohet me Kurtin pa paralajmërim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë nisur të enjten në Prishtinë një takim të paparalajmëruar.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti edhe më 9 shtator kishte zhvilluar takim me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Takimi mes Kurtit, Lajçak dhe këshilltarëve për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Plotner dhe Bonne, ka ardhur pas letrës së dy liderëve evropianë që të përfshihen edhe më intenzivisht në dialog.

“Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thotë komunikata.

Takimi Kurti, Lajçak, Plotner dhe Bonne.

Pas takimit Lajçak kishte folur shkurtimisht për gazetarë. Tha se “biseda ishte e thellë”, por se nuk mund të jap më shumë detaje për takimin dy orësh që kishin pasur me Kurtin.

Pas Kosovës, Lajçak me dy këshilltarët kishin udhëtuar për në Beograd ku ishin takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore