Lajme

Kuvendi miraton anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit


Kuvendi i Kosovës

Me 60 vota për dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar anëtarët e rinj të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi, Industri, dhe Tregti, Jeta Statovci, i ka rekomanduar Kuvendit që të emërojë tetë kandidatë e propozuar nga qeveria për drejtorë në bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit me mandat katër vjeçare në përbërje si vijojnë.

Nazmi Mikllovci kryesues, Syzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi-Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Hajdini.

Statovci tha se këta kandidatë i plotësojnë kushtet e paraparë me ligj.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se me bordin e ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimi (AKP) synojnë të bëjnë një auditim të thellë të këtij institucioni dhe vendimeve të bordeve paraprake.

“Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore për Kosovën drejtë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore. Nga bordi i ri presim që pas votimit në Kuvend të marrë masat për të ndaluar proceset që ne si qeveri i kemi paraprijë për ndaljen e tyre. Me bordin e ri synojmë një auditim të gjerë dhe thellë në AKP dhe të vendimeve të ish-bordeve të AKP-së”, tha ai.

Ai duke prezantuar bordin e ri ka kritikuar të kaluarën e menaxhimit të AKP-së.

“Privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e porsa dal nga lufta nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë. Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave, por merrni me mend i ka mbuluar shpenzimet operative me to. Aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë”.

Sipas Kurtit kjo mënyrë e buxhetit të AKP-së duhet të ndryshohet.

“Paramendoni sikur ATK-ja dhe Dogana paratë e mbledhura t’i kishin shpenzuar për shpenzime operative, ashtu ka vepruar AKP. Mandej, pse të privatizohen objektet publike përderisa jemi duke shpenzuar qindra mijëra euro për qiratë e institucioneve”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala ngriti pikëpyetje për kandidatët e propozuar për bord të AKP.

“Grupi ynë parlamentar, e kemi thënë edhe ditë më parë në Komision që është kundër këtij propozimi për faktin që do i themi më vonë, është kundër sepse po t’i referohemi diskutimit të kryeministrit që në parim pajtohemi që duhet një transformim të pronës natyrshëm rrjedh pyetja se me kënd do e transformojnë këtë pronë me ata që parimisht kanë një eksperiencë të tërë për ta realizuar nga e kaluara”, tha Shala.

Tutje ai pati kritika edhe për Nazmi Mikullovcin i cili nga qeveria është propozuar si kryesues i Bordit të AKP-së.

“Në Trepçë kryesuesi që sot na propozoni ju ka qeverisur 7 vite pas luftës dhe ndërmarrjen Trepça e ka lënë në gjendjen më katrahurë nëse e shohim CV menaxhuese që ka mund të jetë pas luftës me dhjetëra milionë euro borxhe, me asete të paregjistruara pas luftës pa asnjë shkresë zyrtare me një rregullore të UNMIK-ut që nuk ka bërë kërkesë për ta ndryshuar”, shtoi ai.

Me 27 maj, Kuvendi i Kosovës, kishte shkarkuar bordin e AKP-së, me 65 vota për dy vota kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa, në mungesë të kuorumit është ndërprerë seanca plenare dhe dy pikat e mbetura për shqyrtim janë shtyrë për një nga seancat e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se është e paarsyeshme që të vazhdojë debati për pikat e mbetura pa praninë e opozitës.

“Në mungesë të kuorumit mua po më duket krejt e paarsyeshme edhe që të shteret debate edhe në këto kushte pa pranin e opozitës sepse prania e opozitës e bënë gjithmonë debatin më kualitativ si rregull i përgjithshëm nuk po më duhet fare e arsyeshme që t’i trajtojmë këto dy pika por t’i lëmë në njërën prej seancave kur e kemi të pranishme edhe opozitën”, tha Konjufca.

Pikat e mbetura janë rekomandimet për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për shoqëri tregtare, shqyrtimin e raportit me rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në KOSST, si dhe formimi i organit përzgjedhës së pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të organit shqyrtues të prokurimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore