Shqipëria

‘Kuvendi i ligjshëm ka kuorum për ndryshimet statutore’


“Në lidhje me kuorumin, numri i delegatëve të paraqitur në Kuvend pas verifikimit elektronik është 4 mijë e 934 delegatë. Përkatësisht më i madh se kuorumi i nevojshëm prej 3 mijë e 824 delegatëve”.

Kështu, Belind Këlliçi, i cili drejton Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, deklaroi zyrtarisht se është arritur numri i vendimmarrjes për ndryshime statutore.

Ky Kuvend u thirr nga lideri historik i PD-së, Sali Berisha për të shkarkuar kreun aktual, Lulzim Basha.

Këlliçi bëri me dije se për të thirrur Kuvendin Kombëtar nga anëtarësia kanë firmosur 7 mijë e 646 delegatë.

“Përkatësisht ¼  e votave që nevojitet minimalisht është mbledhur dhe 4 mijë e 200 formularët që janë depozituar me firma për të thirrur Kuvendin janë firmëtar demokrat të pranishëm këtu”, vijoi në fjalën e tij Këlliçi.

Në bazë të këtyre të dhënave Këlliçi e shpalli zyrtarisht legjitim mbajtjen e këtij Kuvendi Kombëtar të PD-së.

“Sekretariati teknik ka paraqitur dy kërkesa që kërkojnë vendimarje nga Kuvendi. Nga ky moment Kuvendi ka nisur punimet zyrtarisht”, ravijëzoi Këlliçi.

Këlliçi ritheksoi se, “në zbatim të nenit dhe statutit të PD-së një grup anëtarësh të këshillit kombëtar që janë më shumë se ¼ e tij, sipas firmave, propozojnë miratim të projekt/ndryshimeve të statutit të PD-së”.

Për këtë të fundit Këlliçi ngarkoi Oerd Bylykbashin për paraqitjen e ndryshimeve statutore.

Në përfundim ai ha se, “delegatët janë njohur me projekt-statutin”.

Ndryshimet në statutin e PD-së

Pika më kryesore është ajo e krijimit të një Komisioni Tranzitor rithemelimi me 15 anëtarë dhe do të ushtrojë të gjithë kompetencat që i takojnë organeve qëndrore të PD-së, me përjashtim të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar.

Ky komision, përshkruhet gjithashtu si përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e proceseve zgjedhore brenda PD-së.

Krijimi i organeve të reja brenda të djathtëve, sipas nenit 65 të tij, fillon menjëherë dhe përfundon jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.

Pra, nëse ndryshimet statutore marrin fuqi, brenda marsit, demokratët mund të kenë një lidership të ri drejtues.

Kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”.

Ndërsa, çdo akt i organeve të partisë i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të statutit.

Në Kuvendin e thirrur nga Berisha, pjesëmarrësit kanë mbushur një faqe të tërë të stadiumit.

Sipas procedurës, nëse ky kuorum e voton ndryshimin e statutit, atëherë vendimi merr efekt, pasi votohet nga mbi 50% e delegatëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore