Lajme

‘Kushtet e paqes’ të Putinit hidhen poshtë në samitin e Ukrainës


Udhëheqësit e Italisë dhe Gjermanisë kanë kundërshtuar me forcë kushtet e armëpushimit të përcaktuara nga Vladimir Putin për të ndalur luftën në Ukrainë, pasi shumë vende u mblodhën në një samit dy-ditor në Zvicër për të diskutuar përfundimin e konfliktit.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e quajti planin e presidentit rus “propagandë”, e cila në mënyrë efektive sugjeroi që Ukraina “duhet të tërhiqet nga Ukraina”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e hodhi poshtë atë si një “paqe diktatoriale”.

Një projekt-deklaratë e lëshuar në samit riafirmon integritetin territorial të Ukrainës dhe hedh poshtë pa mëdyshje çdo kërcënim bërthamor kundër vendit.

Të premten, Putin pretendoi se do të pajtohej me një armëpushim nëse Ukraina tërhiqte trupat nga katër rajone të cilat Rusia i pushton pjesërisht dhe pretendon se i ka aneksuar.

Andriy Yermak, shefi i shtabit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i tha BBC-së në samitin zviceran se nuk do të kishte “kompromis mbi pavarësinë, sovranitetin apo integritetin territorial”.

Putin zbuloi kushtet e tij përpara Samitit dy-ditor për Paqen në Ukrainë, i cili synon të diskutojë parimet bazë për përfundimin e luftës.

Më shumë se 90 vende dhe institucione globale po marrin pjesë në këtë ngjarje. Është grumbullimi më i madh për Ukrainën që nga pushtimi në shkallë të gjerë.

Por Rusia nuk u ftua dhe Kina – një aleat kryesor i Rusisë – nuk po merr pjesë, kështu që pritshmëritë për përparim të rëndësishëm në këtë fazë janë të ulëta.

Duke komentuar propozimin e Putin, Meloni tha: “Nuk më duket veçanërisht efektive si një propozim negocimi për t’i thënë Ukrainës se ajo duhet të tërhiqet nga Ukraina”.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, akuzoi presidentin rus se “përcillte një tregim të rremë rreth gatishmërisë së tij për të negociuar”.

Ai shtoi se vendet që ndihmojnë Rusinë me furnizimet me armë “janë në anën e gabuar të historisë”.

Ukraina po e paraqet tashmë mbledhjen në vendin e izoluar në Bürgenstock si një sukses, duke treguar shtrirjen e saj globale dhe numrin e vendeve të përfaqësuara.

Zelensky tha se Ukraina donte t’i “i jepte diplomacisë një shans” dhe të tregonte se “përpjekjet e përbashkëta” mund të ndalonin luftërat.

“Unë besoj se këtu në samit do të jemi dëshmitarë të krijimit të historisë. Le të vendoset një paqe e drejtë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai.

Ndihmësi i tij, Yermak – një figurë me ndikim në politikën ukrainase – la mënjanë mungesën e Kinës dhe sugjeroi që kur të jetë gati një plan i përbashkët për bisedimet e paqes, ai mund t’i paraqitet Rusisë.

“Ne mendojmë se kjo mund të ndodhë në samitin e dytë në nivel liderësh,” tha ai.

Putin tashmë ka përjashtuar çdo lloj procesi paqeje sipas kushteve të Ukrainës. Katër rajonet ukrainase nga të cilat ai dëshiron që Ukraina të tërhiqet janë vetëm pjesërisht të pushtuara nga Rusia, e cila pretendon se i ka aneksuar ato në vitin 2022. Procesi i votimit të mbajtur atëherë u denoncua në Ukrainë dhe Perëndim si një mashtrim.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “ngrirja e konfliktit sot me trupat e huaja që pushtojnë tokën ukrainase nuk është një përgjigje”.

“Në fakt, është një recetë për luftërat e ardhshme të agresionit”, tha ajo.

Kushtet e Putinit për një armëpushim u cilësuan si “fyese për sensin e përbashkët” nga Ukraina.

Vendet pjesëmarrëse duhet të miratojnë zyrtarisht projektdeklaratën që riafirmon integritetin territorial të Ukrainës të dielën.

Udhëheqësit deklarojnë gjithashtu se tranziti i sigurt i transportit tregtar në Detin e Zi dhe Azov është jetik për sigurinë globale të ushqimit. Draft teksti bën thirrje gjithashtu për shkëmbimin e të burgosurve të luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore