Lajme

Kush po e kërcënon familjen e Rashiçit?


Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur nga Albanian Post nëse kryeministri Albin Kurti është takuar me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiç, pasi ky i fundit tha të hënën se do takohet me kryeqeveritarin, meqë po i rrezikohet jeta familjarëve të tij dhe zëvendësit të tij, Radoica Radomiroviç.

As Rashiç nuk ka qenë i qasshëm gjatë së martës, edhe pse një ditë më parë theksoi se do t’i ketë disa propozime “jo të mira” për Kurtin.

Por, Enver Dugolli, anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtës, thotë për Albanian Post se ministri duhet të mbrohet nga shteti dhe të zbulohen kërcënuesit.

Me siguri policia dhe AKI-ja kanë informacione, por unë nuk e kam asnjë informacion, por duhet që mekanizmat qendror të marrin të gjithë hapat në mënyrë që të mbrohet dhe të zbulohen kërcënuesit”, tha Dugolli.

Ai mendon se kërcënimet për Rashiç-in vijnë nga organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat Qeveria i ka shpallur organizata terroriste.

“Kërcënimet po vijnë nga ata që po e kërcënojnë kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, janë eksponentë të organizatave që janë shpallur terroriste nga Qeveria”, theksoi ai.

Ndërkaq analisti politik nga veriu i Kosovës, Branislav Krstiç, theksoi se Serbia i shantazhon të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Beogradi.

“Shteti i Kosovës nuk ka mekanizma në Veri, serbët i kanë braktisur institucionet. Është e vërtetë që Beogradi i shtantazhon dhe u bën presion të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, potencoi ai për AP.

Prandaj, ai shprehet i bindur që Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi vazhdon të ketë ndikim në pjesën veriore të Kosovës.

“Të gjithë e dimë si veprojnë strukturat paralele kundër serbëve që e kanë pranuar realitetin e shtetit të Kosovës”.

Dy ditë më parë, Rashiç gjatë një konference për media ka thënë se Drejtori i administratës në Komunën e Leposaviqit në Veri të Kosovës, Nikolla Radomiroviç, njëherit djali i Zëvendësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete i cili është dënuar me dhjetë ditë burgim në Serbi për “posedim të armës së ftohtë” është një prej viktimave të regjimit të Beogradit.

“Njerëzit të cilët kanë ndërlidhje me mua, familjar dhe miq janë ndalur dhe janë mbajtur me orë të tëra. Ky trajtim ndaj meje ka filluar para 7-8 viteve. Kjo i ndodh edhe djalit tim Nikola, i cili studion në Nish”, theksoi Rashiç.

Edhe kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç dhe këshilltare në Ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ishte ndaluar disa herë në Serbi.

Po ashtu Trajkoviçit, autoritetet serbe ia kishin ndaluar edhe vajzën disa herë, derisa për këtë e kishte akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore