Shqipëria

Kush nuk sprapset për bashkim nuk ka interes PD-në në pushtet, por veten në krye të PD-së, thotë Agalliu për Albanian Post


25 marsi ishte ditë e gjatë për Partinë Demokratike pas njohjes së ndryshimeve statutore të Kuvendit të Berishës të 11 dhjetorit nga Gjykata e Tiranës.

Pas këtij zhvillimi, nisën zyrtarisht negociatat për ribashkimin e strukturave të forcës politike.

PD-ja e njohur publikisht si zyrtare, u përfaqësua në bisedime nga Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi si edhe Arbi Agalliu ndërsa nga kahu tjetër ishin anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka, Edmond Spaho, Ivi Kaso, Albana Vokshit dhe vetë ish-kryeministri Sali Berisha.

Pak u bë publike realisht nga ajo çfarë u diskutua, por rruga për bashkim mbeti themel i diskursit të dy palëve pas takimit.

Mbi detaje se çfarë u diskutua në tryezën mes palëve, ka folur për Albanian Post, deputeti i PD-së, Arbi Agalliu.

“Ato persona që nuk bëjnë hapa pas për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve, nuk kanë interes të vijë PD-ja në pushtet, por thjesht duan të jenë në krye të drejtimit të saj”.

Kështu, Agalliu ka zbuluar se në takimin e zhvilluar mes kampeve të një kahu, u vu re edhe njëherë se ka një ngërç.

“Nga pjesa dërrmuese e deputetëve të Partisë Demokratike, po kështu edhe nga kryetar i Grupit Parlamentar, është kërkuar ajo që është bërë publike: Tërheqja e Berishës”, shtoi ai.

Sipas deputetit demokrat, nuk mund të ketë bashkim nëse nuk ka një tërheqje të ish-liderit të djathtë.

“PD-ja nuk mund të vijë kurrë në pushtet, së paku duke mos qenë bashkë të gjithë demokratët. Por përveç kësaj duhet që dhe elektorati gri t’i bashkohet PD-së, për ta sjellë në pushtet, në qeveri, sepse besojmë fort që kjo nuk mund të arrihet me një politikan apo drejtues partie, i cili nuk është i dëshiruar nga SHBA-të”.

Prandaj, bën me dije Agalliu, i kanë kërkuar Berishës të tërhiqet duke i dhënë mundësinë që ai që njihet “si Komisioni i Rithemelimit, së bashku me përfaqësinë apo të gjithë deputetët e PD-së, të ndërtojnë një platformë organizimi të përbashkët për të shkuar më pas në zgjedhje, ku çdo anëtar i PD-së, sipas rregullit një anëtar një votë, do të zgjedhë kryetarin e ri”.

“Kjo do të dojë një riorganizim të gjithë strukturave të PD-së nga seksioni, grupseksioni, dega etj.. Kemi diskutuar disa minuta me njëri-tjetrin duke shprehur qëndrimet tona”, vijoi më tej Agalliu.

Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu

Deputeti demokrat po ashtu, artikuloi se në thelb, ishte fjala bashkim, por që në konkluzion Berisha “nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicioni i tij”.

“ Ne nuk kemi ndërmend të pranojmë – me gjithë respektin – një individ i cili në gjykimin tonë, nuk mund të sjellë PD-në në pushtet, jo vetëm për shkak të ciklit politik të tij, por mbi të gjitha për shkak të mbajtjes në shpatulla të termit non-grata. Pritet të vijojnë diskutimet dhe të shikohet si do shkojë”.

Teksa, mbi ardhjen në pushtet, ai ravijëzon se pa fituar në zgjedhjet lokale bashki, nuk mund të realizohet.

Ndaj, është e qartë se formula e vetme e demokratëve, ka të bëjë me bashkimin dhe jo me interesat personale të individëve në parti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore