Lajme

Kush ishte Saleh al Arouri, numri dy i Hamasit i vrarë në Bejrut?


Një nga zyrtarët më të lartë të Hamasit, Saleh al Arouri, u vra të martën në një shpërthim në Bejrut. Hamasi fajësoi Izraelin për vrasjen. Sipas Agjencisë Libaneze të Lajmeve, por dhe kanalit televiziv pro-iranian al Mayadeen, një dron sulmoi zyrat e Hamasit gjatë një takimi të zyrtarëve të lartë të organizatës në lagjen jugore të Bejrutit, Dahiyeh (zona ku jeton popullsia shiite dhe nën kontrollin e plotë të Hezbollah).

Zyrtari madhor i Hamasit vritet nga bombardimet izraelite në Bejrut

Hamasi fajësoi menjëherë Izraelin për goditjen. Sipas Hamasit dhe Hezbollahut, shtatë anëtarë të lëvizjes palestineze u vranë gjatë sulmit izraelit në periferitë jugore të Bejrutit së bashku më Saleh al Arouri.

Al Arouri ishte nënkryetari i byrosë politike të organizatës, i dyti pas Ismail Haniyeh, dhe kreu i divizionit të operacioneve në Bregun Perëndimor, ku mendohet se është një nga autorët e iniciativës për të krijuar atje një batalion të Hamasit.

Kush ishte Saleh al Arouri

Saleh al Arouri, konsiderohet si një nga liderët me shumë ndikim brenda Hamasit, kryesisht për shkak të përpjekjeve të tij për të zhvilluar një rrjet ushtarak në Bregun Perëndimor dhe rezidencës tij në Liban, ku ai ishte në kontakt të ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, me të cilin sipas burimeve izraelite do të takohej ditën e mërkurë.

I lindur në vitin 1966 në Arura, në Bregun Perëndimor në një fshat afër Ramallah-s, babai i tij ishte përgjegjës për xhaminë. Saleh el-Arouri u piketua shpejt nga Hamasi. Pasi mbaroi studimet islame në Universitetin e Hebronit, u rekrutua nga organizata islamiste në vitin 1990 dhe u vu në krye të “infrastrukturës së degës ushtarake të lëvizjes në Bregun Perëndimor”, sipas medias izraelite I24.

I burgosur dy herë, ai kaloi gati 20 vjet në burgjet izraelite, deri në vitin 2010, ku ashtu si Sinwar, mësoi hebraishten. U lirua në prill 2010, pas marrëveshjes së Hamasit me Izraelin në 2006, për lirimin e 1 mijë të burgosurve palestinezë në këmbim të ushtarit izraelit Gilad Shalit, i rrëmbyer nga Hamasi.

Pas lirimit të tij, Izraeli e dëboi nga Bregu Perëndimor. Ai do shkonte në Jordani dhe më pas në Damask ku vendosi të qëndrojë. U largua nga Siria gjatë luftës së vitit 2011, ku Hamasi nuk ishte më i dëshirueshëm, për të vajtur në Turqi ku qëndroi për gati katër vjet, përpara se të vendosej në Liban.

Do të ishte pikërisht nga Stambolli që al Arouri do të fillonte të krijonte një alternativë të “rinovuar” dhe “të përtërirë” të lëvizjes së fragmentuar islamiste, një pjesë e madhe e udhëheqjes së të cilës ishte në mërgim.

Mendohet që nga Turqia ka dhënë urdhër për sulme terroriste për vite me radhë. Al Arouri dikur deklaroi se “rezistenca është thelbi i ekzistencës së Hamasit” dhe organizata nuk merret me asgjë tjetër veçse me “përgatitjen për luftën ose pjesëmarrjen në luftë”.

Por sipas marrëveshjes së pajtimit të vitit 2016 midis Turqisë dhe Izraelit (marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të prishura që nga afera e flotiljes së solidaritetit që u përpoq të thyente bllokadën detare të Rripit të Gazës në maj 2010), ai u dëbua nga Turqia dhe u transferua në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Pak muaj para se të bëhej nënkryetar i Byrosë Politike të Hamasit në vitin 2017, ai u dëbua nga Katari dhe u transferua në Liban, ku punoi për të forcuar marrëdhëniet e Hamasit me Hezbollahun dhe Iranin.

Në vitin 2014, Al Arouri njoftoi rrëmbimin dhe vrasjen e tre djemve izraelitë, Gilad Sha’ar, Naftali Frankel dhe Eyal Yafarah, dhe e vlerësoi atë si një “akt heroik”. Sipas Jonathan Schanzer të Fondacionit për Mbrojtje dhe Demokraci pikërisht në këtë moment fillon historia e (ndërtimit) të infrastrukturës libaneze duke mbajtur gjithnjë lidhjet në Rripin e Gazës nga njëra anë me Yahia Sinwar dhe Mohammed Deif, strategu i Brigadave Ezzedine al Qassam dhe duke ndërtuar e forcuar në mërgim nga ana tjetër, marrëdhëniet e reja me Boshtin e Rezistencës, frontin e sponsorizuar nga Irani dhe Hezbollahu-n.

Në shtator 2015, Shtetet e Bashkuara e fusin në listën e zezë al Arouri-n duke e shpallur terrorist global. I bllokojnë të gjithë pronat dhe interesat e tij që i nënshtroheshin juridiksionit të SHBA-ve si dhe vendosin ndalimin e qytetarëve amerikanë nga përfshirja në çdo transaksion me të.

Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara shpallën një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që jepte informacion rreth al Arouri-t.

Po në 2018, ai vizitoi Gazën, me lejen e Izraelit, si pjesë e një përpjekjeje egjiptiane për të negociuar një pajtim të fraksioneve ndërluftuese palestineze dhe një qetësi në luftimet midis Hamasit dhe Izraelit.

Saleh al Arouri do të ishte gjithashtu sponsor i disa operacioneve ushtarake të kryera kundër Shtetit Hebraik, në veçanti raketave të lëshuara në prill 2023 nga Libani i Jugut. Ai është sot një nga negociatorët kryesorë, ende nga Bejruti, për çështjen e lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

“Të burgosurit e mbetur në duart tona janë ushtarë dhe ish-ushtarë dhe nuk do të ketë negociata në lidhje me ta deri në fund të armiqësive”, deklaroi Saleh el-Arouri më 2 dhjetor, në një intervistë për kanalin e Al Jazeera në arabisht.

Si “udhëheqësi de facto” i krahut ushtarak të Hamasit në Bregun Perëndimor dhe një nga zyrtarët kryesorë përgjegjës për mbledhjen e fondeve në emër të grupit dhe operacioneve të tij ushtarake, Izraeli fajëson Saleh al Arouri-n në veçanti për përshkallëzimin e sulmeve kundër ushtrisë së tij dhe kundër kolonëve në Bregun Perëndimor që nga fillimi i Operacionit Al-Aksa Flood.

Sipas mediave izraelite, më 31 tetor, ushtria izraelite hodhi në erë shtëpinë e tij në fshatin Aroura, pranë Ramallah, në Bregun Perëndimor, si pjesë e një operacioni në shkallë të gjerë kundër militantëve të Hamasit. Dhe ka disa javë tashmë që Mossad-i është betuar se do t’i ndjekë liderët e Hamasit kudo, kudo që të jenë, përfshirë edhe Libanin.

Ndryshon skenari i luftës pas vrasjes së Al Arouri ?

Media amerikane Axios ka pohuar se shteti hebre po përgatitet për një përgjigje potencialisht të dhunshme nga Hezbollah, e cila mund të përfshijë “përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi”.

Ndër të parët që reagoi pas vrasjes së Saleh al Arouri-t ka qenë Irani, i cili sipas siç thuhet nga Al Jazeera, përmes zëdhënësit të Ministrisë së tij të Jashtme, Nasser Kanaani, ka deklaruar se “Vrasja e Al Arouri-t ishte rezultat i dështimit të rëndë të entitetit sionist në trajtimin e rezistencës në Gaza. Ne dënojmë fuqishëm vrasjen e Al Arouri-t dhe entiteti sionist do të jetë përgjegjës për pasojat”.

Sipas gazetës izraelite Haaretz thuhet se burime diplomatike arabe njoftuan në mbrëmjen e të martës se vrasja e al Arouri-t në Bejrut ndërpreu negociatat për një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit dhe bisedimet tani po fokusohen në parandalimin e përshkallëzimit, veçanërisht në Izraelin verior. Sipas burimeve të përfshira në bisedimet e ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari “vrasja ka ndryshuar situatën dhe tani nuk është i mundur asnjë përparim”.

Ndërkohë udhëheqësi i Hamasit nga Katari, Ismail Haniyeh, në një fjalim televiziv pas vrasjes së al Arouri-t, duke ia atribuuar Izraelit tha “Është historia e rezistencës dhe e lëvizjes e cila, pas vrasjes së liderëve të saj, bëhet edhe më e fortë dhe më e vendosur”.

Kurse anëtari i byrosë politike të Xhihadit Islamik, Ahsan Attia tha se Izraeli “do të paguajë çmimin për krimet e tij, duke përfshirë vrasjen e Saleh al Arouri-t”, sipas raporteve në lajmet e libanezes Al Mayadeen.

Në një reagim të parë zyrtar ndaj sulmit, kryeministri libanez Nagib Mikati, në një deklaratë për shtyp e dënoi sulmin si “një krim të ri që synon të tërheqë Libanin në një fazë konfrontimi”. Mediat libaneze njoftuan se Mikati kontaktoi ministrin e tij të jashtëm dhe i kërkoi atij të parashtronte një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas “agresionit flagrant izraelit kundër sovranitetit libanez, si dhe të gjitha shkeljeve të izraelitëve”.

Hezbollah gjithashtu vuri në dukje se “vrasja në periferinë jugore të Bejrutit konsiderohet një sulm serioz ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rezistencës së Libanit, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në konfliktin midis armikut dhe boshtit të rezistencës”. Partia shiite siguroi se pas këtij sulmi do të ketë “hakmarrje”.

Ndërkohë nga Shtetet e Bashkuara një zyrtar amerikan deklaroi për New York Times duke komentuar vdekjen e al Arouri-t, si goditjen e parë në vite nga ana e Izraelit kundër liderëve të Hamasit jashtë Bregut Perëndimor dhe Gazës. “Ky është vetëm fillimi dhe do të vazhdojë me vite”, shtoi zyrtari amerikan.

Nuk dihet nëse gabimisht, por Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon ishte i pari që doli duke thënë “Përgëzoj ushtrinë izraelite, Shin Bet, Mosadin dhe forcat e sigurisë për eliminimin e liderit të Hamasit, Saleh al Arouri në Bejrut. Të gjithë të përfshirë në masakrën e 7 tetorit duhet ta dinë se ne do t’i arrijmë dhe se ata do ta paguajnë”.

Ndërkohë Mark Regev, këshilltar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha per televizionin MSNBC se Tel Avivi nuk “merr përgjegjësi” për sulmin. “Pavarësisht se kush e bëri këtë, duhet të jetë e qartë: ky sulm kirurgjik nuk ishte një sulm kundër shtetit libanez dhe as kundër Hezbollahut”, theksoi ai.

Kurse Radioja publike izraelite Kan ka raportuar ndërkohë se kryeministri Benjamin Netanyahu u ka kërkuar ministrave të tij që të mos komentojnë mbi këtë çështje në 24 orët e ardhshme.

Nga Elysee bëjnë të ditur se Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur në telefon me ministrin izraelit Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës, duke theksuar se “është thelbësore të shmanget çdo qëndrim përshkallëzimi, veçanërisht në Liban, dhe se Franca do të vazhdojë t’i transmetojë këto mesazhe për të gjithë aktorët të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në zonë”.

Jerusalemi, pas sulmit të 7 tetorit, formoi një grup pune të riemërtuar “Nili” duke bashkuar njohuritë e Shin Bet, Mossad-it dhe inteligjencës ushtarake, për të vepruar në territoret palestineze dhe në çdo vend të rajonit në goditjen e liderëve të Hamasit. Qeveria Izraelite përdori fonde të shumta për të rekrutuar spiunë dhe evokoi një “Mynih të ri” duke evokuar kështu hakmarrjen që Mossadi ka kryer kundër përgjegjësve (anëtarë të Fatahu-t) për masakrën në Lojërat Olimpike në Gjermani në 1972.

Të njëjtat veprime Mossadi ka kryer në vite edhe kundër anëtarëve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Dubai, Tunizi, Malajzi dhe Gaza. Vrasje me bomba, sulme ajrore, direkt apo me vrasës me pagesë.

Kësaj radhe Turqia e ka marrë seriozisht kërcënimin e qeverisë izraelite dhe ka mobilizuar gjithë inteligjencën e saj. Katari, i rëndësishëm për negociatat diplomatike, thuhet se i ka kërkuar Jerusalemit të mos i prekte mysafirët e tij. Ndaj Bejruti mbetej hallka e dobët në kushte të favorshme për strategjinë e objektivave të caktuar.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, do të flasë të mërkurën në orën 18:00 për herë të tretë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Fjalimi i tij ishte në axhendë, me rastin e përkujtimit të vrasjes së Kassem Soleimanit më 3 janar 2020 në Irak.

Vrasja e Saleh al Arouri hap pa dyshim një skenar tjetër në fjalën që do të mbajë Nasrallah.  Deri më tashmë, edhe pse sulmet me raketa dhe zjarr kanë qenë konstante mes Izraelit dhe Hezbollah në Liban duke lënë të vrarë 132 militantë të grupit dhe 32 civilë libanezë, Hezbollahu ka treguar se nuk dëshiron të hyjë në një konflikt në shkallë të gjerë me Izraelin.

Libani jugor mbetet zonë e nxehtë, mes tensioneve me Izraelin

Por kjo vrasje, (jo në Siri apo në Libanin jugor), në zemrën e Hezbollahut në Bejrut, e vendos grupin në një pozicion delikat. Nuk dihet nëse Izraeli ka dashur me këtë të testojë vijat e kuqe duke bërë një provokim të fortë ndaj milicisë shiite për të shtyrë drejt një përshkallëzimi të fuqishëm rajonal, apo duke ditur që Hezbollah nuk ka forcën e 2006 për hapjen e një fronti kërkon ta dobësojë atë më shumë si brenda Libanit, po ashtu dhe në rajon.

Jo domosdoshmërisht partia shiite, aq e kujdesshme që nga 7 tetori, ka interes të nisë një luftë të vërtetë kundër Izraelit për shkak të vdekjes së një komandanti palestinez. Vendimi për të shkuar apo jo në luftë varet nga elementë më strategjikë rajonalë, sidomos ato të Iranit. Kjo është parë tashmë edhe pas vrasjes së Imad Moghniye-s, Kassem Soleimani-t apo së fundmi Razi Moussavi-t.

Ndërkohë Izraeli me këtë vrasje i le të kuptojë Hezbollahut (ndoshta kjo edhe nën presionin amerikan për të mos lejuar një përshkallëzim rajonal të luftës) se interesi primar është akoma Hamasi.

Gjithsesi situata është shumë delikate dhe mbetet për t’u parë. Nëse Hezbollah do të japë një përgjigje të fortë zgjerimi i luftës është konkret, nëse nuk përgjigjet tregon dobësi evidente ndaj armikut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore