Shqipëria

Kush është 58 milionëshi i SHIK-ut, më i paguari në Shqipëri?


Një çështje e cila nga të shumtë është përkufizuar maksimalisht si skandal, por që minimalisht mund të cilësohet si një rrjedhje ndër më flagrantet të informacionit në historinë moderne të kombit shqiptar, ku të dhënat e mbi 637 mijë personave janë publikuar dhe kanë qarkulluar masivisht në rrjetin social “Whatsapp”.

Ndër të dhënat e publikuara, më të shumëdiskutuarat, janë pikërisht pagat e punonjësve. Po ashtu, edhe pozicioni dhe vendi ku ata punojnë. Ndërsa, mbi publikimin e numrave personalë të identifikimit, duket se asnjë personi nuk i intereson më.

Kureshtja ka përfshirë të shumtë mbi paga të personalitetve shqiptare. Ndër më të diskuarit, janë politikanët dhe personalitetet mediatike.

Por të gjithë këta, pagës më të lartë në vend, as që i afrohen!

Albanian Post është në zotërim të listës, por për arsye etike, nuk do të publikojë të dhëna konfidenciale nga databaza.

Gjithsesi, për më të paguarin në Shqipëri, duket se është menduar vetë nga strukturat, pasi nuk dihet se kush ai është!

Me një shumë prej 5 milion e 807 mijë lekësh, një punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar, rezulton si paga më e lartë në databazë.

Të dhënat e tij janë krejtësisht anonime.

Po ashtu, edhe punonjës të tjerë të shërbimeve informative, janë ndër më të paguarit.

Pagat e tyre variojnë në rang, prej 405 mijë lekëve e deri në 928 mijë lekë.

Ajo që mbetet për t’u theksuar, është fakti se Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim mbi ngjarjen. Pistat e dyshimit janë të shumta, nga Drejtoria e Tatimeve tek Sigurimet Shoqërore.

Megjithatë, diçka mbetet e sigurt. Pavarësisht çështjes së shkeljes së rëndë të privatësisë, një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë kërkuar e mësuar sot shumë mbi pagat e të tjerëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore