Lajme

Kush e vrau “hijen e Diabolik-ut”


Në një shkrim të së përjavshmes italiane “Espresso”, hidhet dritë mbi “hijen” – vrasësin – e kapo-ultrasve të ekipit të futbollit, Lazio, Fabrizio Piscitelli.

Nëse Drejtësia ka kohën dhe kufizimet e saj, shkruan gazetarja Francesca Fagnani, hakmarrja nuk njeh asnjë prej tyre.

“Kjo është ajo që ndodhi me një vrasës shqiptar, një profesionist i pamëshirshëm dhe preçiz, i përdorur nga klanet kriminale për të vrarë pa lënë gjurmë, në Itali dhe jashtë saj”, shkruan më tej Fagnani.

“Espresso” rikrijon edhe identikitin e vrasësit.

Ai ishte dyzet vjeç dhe kishte në ndërgjegjen e tij dhjetëra vrasje. Në Shqipëri, për Fagnanin, atë e priste “karma” pasi pësoi të njëjtin fat si viktimat e tij – ai u vra, u torturua, nga duart e kriminelëve të tjerë.

Vrasja e Piscitelli-t

Ishte 7 gusht 2019. Kanë kaluar dy vjet nga vdekja e Fabrizio Piscitelli-t, i vrarë në një park publik në Romë, mes njerëzve.

Rasti mbetet i pazgjidhur dhe pa autorë, megjithatë është vrasja më domethënëse që ka ndodhur në dhjetë vitet e fundit. Roma konsiderohet, sipas Fagnani-t, një qytet, në të cilin organizatat kriminale nuk kanë goditur për një kohë të gjatë sepse – torta është e madhe dhe ka vend për të gjithë.

“Espresso” raportoi në fund të prillit se vrasësi që kishte goditur Fabrizio Piscitelli ishte një shqiptar.

Pasditen e 7 gushtit, i veshur si vrapues, ai e qëlloi Pisticelli-n ndërsa ishte ulur në një stol në Parco degli Acquedotti.

I mbuluar me një bandanë, syze dielli dhe rroba për të fshehur tatuazhet, ai nxori pistoletën e kalibrit 7.65 nga qesja e tij, qëlloi dhe u zhduk.

Ai ishte bërë një hije, një fantazmë. “Espresso” zbulon të premten e 6 korrikut, se vrasësi i Diabolik-ut ka vdekur, pasi u vra në Shqipëri, nga vrasës të tjerë.

“Përpara se të vritej, shqiptarit do t’i jepej një detyrë tjetër në Itali: të vriste përsëri”, vijon narrativën “Espresso”.

Ostia

Sipas informacioneve të përjavshmes italiane, vrasësi qëlloi në shtator të vitit 2020 Selavdi Shehaj, “Tarzanin”, një trafikant droge shqiptar, në plazhin e Torvaianica, përballë uzinës Bora Bora.

Vrasësi, pas vrasjes së Diabolik-ut dhe Shehajt duhej të shkonte në Spanjë, ku qenë porositur vrasjet e tjera, të dy bashkatdhetarëve, dhe më në fund do të kthehej në Shqipëri, ku nuk e priste “drejtësia, por hakmarrja kriminale”.

Pothuajse dy vjet pas vrasjes së Piscitelli-t, hetuesit e Romës, më 30 prill, kryen sondazhe 3D për të rindërtuar strukturën dhe tiparet e vrasësit dhe për t’i krahasuar ato me të dyshuarit.

Asgjë nuk dihej për rezultatin e këtyre hetimeve, ndoshta të vonuar, sepse gjuetia për vrasësin përfundoi në një mënyrë tjetër.

Kryeprokurori i Romës, Michele Prestipino ka theksuar në disa raste se rasti i kapo-ultrasit nuk është një vrasje në rrugë, por një ekzekutim mafioz funksional për riorganizimin e disa balancave kriminale.

Diablo vdiq si njeri i lirë, por hetimet e fundit nga “Guardia di Finanza” zbuluan pas vrasjes kalibrin e tij të lartë kriminal, së bashku me krahun e tij të djathtë, Fabrizio Fabietti për të blerë dhe shitur 250 kilogramë kokainë dhe 4 mijë e 250 kilogramë hashash në disa muaj nëpër sheshet kryesore tregtare të Romës.

Nga Tor Bella Monaca në San Basilio, nga Romanina në Primavalle, nga Bufalotta në bregdetin romak. “Espresso” vendos theksin në Ostia, ku “duhet hulumtuar për të kërkuar një interpretim të mundshëm të rastit Diabolik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore