Lajme

Kurti uron Suedinë për anëtarësim në NATO: Shpresoj që dërgoni ushtarë në Kosovë për të ruajtur kufirin me Serbinë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten mbrëma ka uruar Suedinë për anëtarësimin në NATO duke potencuar se pret nga Suedia që ta ndihmojë Kosovën në ruajtjen e kufirit ndaj agresionit serb.

“Shpresojmë që së shpejti të mirëpresim ushtarët e rinj suedez në Kosovë në kuadër të KFOR-it që të ndihmojnë në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë”, ka shkruar Kurti në platformën sociale, X.

Kurti ndër të tjera ka potencuar se anëtarësimi i Suedisë në NATO është një shans i madh për paqe pas agresionit rus në Ukrainë.

“Një NATO më e fortë do të thotë një Evropë më e sigurt dhe një shans më i madh për paqe pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia”.

Suedinë ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, deklaroi se anëtarësimi i Suedisë në NATO është një hap i rëndësishëm që forcon jo vetëm sigurinë e shtetit nordik, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë së kontinentit evropian, posaçërisht në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike pas shkurtit të vitit 2022.

Suedia u bashkua zyrtarisht me NATO-n të enjten, dy vjet pas aplikimit, duke braktisur politikën e saj të gjatë të neutralitetit – një vendim që u nxit kryesisht për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë. E për nder të anëtares së 32-të të NATO-s, presidentja Osmani ngriti një dolli gjatë një takimi me ambasadorin e Suedisë në Prishtinë.

“Së bashku me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, miq dhe aleatë të tjerë, ne po festojmë këtë ditë historike. Ky hap i rëndësishëm përpara forcon jo vetëm sigurinë e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane. Urime për Suedinë”, shkroi presidentja Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore