Lajme

Kurti: Unë për vete mbrëmë u ngroha me batanije


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Unë për vete mbrëmë u ngroha me batanije”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur në konferencë nga gazetarët se me çfarë po ngrohet ai, meqë qytetarëve po u thotë që të mos e bëjnë ngrohjen me rrymë.

“Pjesën më të madhe të kohës po më duhet të rri ose në makinë ose në kryeministri. Por, shpresoj që kjo përgjigja ime mos të bëjë që deputeti Bekim Haxhiu të thërras ndonjë konferencë për media”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti,  ka thënë se do të bëjnë krejt çka dinë e munden për t’u dalë zot qytetarëve për furnizim sa më të qëndrueshëm e çmime sa më të përballueshme.

“Ne e dimë që e kemi popullsinë e varfër. E kuptojmë që është situatë e rëndë, por nuk e kemi ndërmend që të kursejmë për qytetarët. Kur kam qenë në opozitë, asnjëherë s’kam kundërshtuar akse që ka bërë ftesë për kursim të energjisë elektrike”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se sipas tij do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.

Kurti në një konferencë për media ka thënë se dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht janë jashtë funksionit.

“Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve, do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike”.

“Dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht i kemi jashtë funksionit si pasojë e avarive të paparashikuara. Kjo ka rritur edhe më tepër kërkesën për importe”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti, teksa tha se është e nevojshme të kursehet energjia, ai ka kritikuar edhe ish-qeveritë për gjendjen aktuale.

“Vendime të këqija për dy dekada nuk u bën riparime të qëndrueshme në termocentrale që do të siguronim prodhim të qëndrueshëm mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese me sa më pak ndotje, e mungesa e vizionit tregohet pasi para një dekade ka qenë më lehtë të shtohen kapacitetet e energjisë, por ishte më me leverdi për ta ta vjedhin KEK-un sesa të investohej në të”.

“Jemi në krye të detyrës e kemi gjetur shtetin për toke në të gjitha drejtimet, por do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë duhet përmirësuar, por ata që na sollën këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet e të skuqen nga gjendja në të cilën e lanë shtetin”, tha Kurti.

Po ashtu, Kurti ka treguar se në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës, KOSTT-it dhe KFW për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

“Sa i përket vendimit të miratuar në qeveri lidhur me marrëveshjen e kredisë, pas ratifikimit në kuvend menjëherë në vitin e ardhshëm do të fillojmë me implementimin e saj”.

“Do të bëjmë krejt çka dimë e mundemi me kapacitetet që kemi në mënyrë që t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Andaj e kuptojmë q është situatë e rëndë por nuk kemi ndërmend që të kursejmë për qytetarët tanë, por i ftojmë ata që ta kursejnë energjinë elektrike që është pasuri e këtij vendi”.

“Është një krizë energjetike që na ka gjetur me stabilimente të vjetruara, me rrjet të ngarkuar”.

Se a do të ketë ndonjë projekt madhor gjatë këtij mandati qeverisës, Kurti ka theksuar se “edhe nëse kemi ndonjë ide në mendje, rendi logjik edhe ligjor i gjërave është që paraprakisht ta bëjmë strategjinë e pastaj t’i kemi projektet që padyshim duhet të na nxjerrë nga kjo krizë energjike”.

Ne jemi të përqendruar te strategjia 2022 – 2031, për energjinë, për sektorin e energjisë, me ç’ rast dëshirojmë që projektet të jenë vazhdim i strategjisë dhe të mos i paraprijnë asaj”.

“Ne nuk kemi mundur të parashohim shumë prej defekteve që ndodhin, pra bien blloqet herë të Kosova A e herë të Kosova B, por me njerëzit adekuat bëjmë më të mirën e mundshme”.

“Po të ishte e mundur që ne sado pak të parashohim sado pak ndonjë avari atëherë ajo nuk do të ishte e paparashikueshme dhe pasojat nuk do t’i kishim të tilla”, shtoi ai.

Rizvanolli tregon se sa shpenzojnë PlayStation, Xbox One dhe Nintendo Switch

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artan Rizvanolli

Do t’a plotësoj atë që tha një ditë më parë.

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli në një konferencë për medie, të mbajtur këtë të mërkurë mbrëma, bashkë me Kryeministrin Kurti e drejtorin e KEK-ut, ka shpjeguar sa shumë hargjojnë konsoloat e video-lojërave.

Një ditë më parë ka apeluar që të mos lihen në rrymë pajisjet elektronike siç janë “konsoloa e video-lojërave”, ose ndryshe siç njihet nga të rinjtë “joystickat e Playstation”.

Tani, Rizvanolli po tregon se konsoloat e video-lojërave shpenzojnë më shumë se sa kanë menduar.

“Më saktësisht PlayStation 4, 8.5watt në Standby, Xbox One 15.7watt, Nintendo Switch 7.5 deri në 18 wat gjatë akumulimit”, u shpreh ajo.

Thirrja për kursim të energjisë elektrike vazhdon akoma.

Artan Rizvanolli, sërish u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta kursejnë energjinë elektrike derisa vendi po përballet me krizë.

Ajo ka thënë se si ministri janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e veçanërisht me atë të Shqipërisë për të kërkuar mbështetje.

“Aktualisht jemi duke prodhuar 400 megavat orë energji nga një mijë e 200 që është kërkesa ditore”.

“Dita e sotme ka qenë më e vështira në këtë krizë energjetike deri më tani dhe shpresoj që të mbetet më e vështira”, është shprehur Rizvanolli, në një konferencë për medie.

“Fushata e informimit dhe këshillat për kursim kanë filluar të kenë efekt të dukshëm. Fushata ka pas sukses dhe për këtë i falënderoj qytetarët për hapat e duhur për të minimizuar konsumin e energjisë dhe duke e zhvendosur nga dita në gjatë natës”.

“Inkurajoj të gjithë qytetarët, institucionet, ndërmarrjet publike që t’i ndërmarrin të gjitha masat për kursim të energjisë dhe ta zhvendosin konsumin nga dita në natë, veçanërisht pas mesnatës kur edhe çmimi i importit të energjisë është më i lirë”.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi

Ndërsa drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka bërë të ditur se nga e enjtja e 16 dhjetorit do të hy në operim njësia B1 e termocentralit B.

Ai, në një konferencë të përbahkët për medie me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se do të fillojë furnizimi me energji elektrike edhe i ngrohtores së “Termokosit”.

“Te, Kosova B kemi pasur probleme dhe këto probleme kanë shkaktuar që këto njësi të bien nga operimi”.

“Ajo që është premtuese, është se për njësinë B1 presim që nesër në mëngjes të hyjë në operim, të kthehet”.

“Me këtë presim që të kthehet edhe ngrohja qendrore e “Termokosit”, që po ashtu do ta zbus pak konsumin e energjisë,” ka thënë Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore