Lajme

Kurti udhëton drejt Tiranës, merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mbrëmje ka udhëtuar drejt Shqipërisë, ku pritet të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë do të zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian (BE).

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, kreu i ekzekutivit kosovar do të ketë takime bilaterale, përfshirë një takim me Olaf Scholzin, kancelarin gjerman.

Më herët gjatë javës nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se kryeministri Kurti pritet ta adresojë edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës.

Pjesëmarrës pritet të jenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të BE-së me fokus raportet BE-Ballkani Perëndimor. Deri më tani janë ratifikuar tri marrëveshje nga Procesi i Berlinit.

Tirana gati për samitin e Procesit të Berlinit, publikohet agjenda e punimeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore