Lajme

Kurti thotë se “s’është e vërtetë” se po i dëmton marrëdhëniet me ndërkombëtarët


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndonëse zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, kanë thënë se çështja e dinarit ka cenuar raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk është e vërtetë” se po i prish marrëdhëniet me aleatë.

Këto komente, Kurti i bëri në një prononcim para gazetarëve, pas ceremonisë inauguruese të objektit të ri të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.

“Nuk është e vërtetë”, ka thënë shkurtimisht kreu i ekzekutivit, pasi është pyetur se kritikët dhe eksponentë të opozitës po e akuzojnë atë se po i bën dëm Kosovës duke i përkeqësuar raportet me ndërkombëtarët.

Vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës për pagesa, ka shkaktuar fërkimin e radhës në mes të qeverisë – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të vendit – dhe komunitetit ndërkombëtar – të cilët s’po dëshirojnë “surpriza” në terren, por zbatim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë drejtim, vendet perëndimore kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurtit për, siç kanë thënë ata, moskoordinimin me ta lidhur me çështjen e dinarit serb.

Madje, SHBA-të kanë theksuar se ky vendim ka afektuar raportet në mes të dy vendeve respektive.

O’Brien, Hovenier e Escobar njëzëri: Çështja dinarit ka cenuar raportet, Kurti s’po na trajton si partner

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore