Kosova

O’Brien, Hovenier e Escobar njëzëri: Çështja dinarit ka cenuar raportet, Kurti s’po na trajton si partner


Albin Kurti

Tre zyrtarë amerikanë – top diplomatë – dolën hapur që ta demantonin Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe t’i tregonin qytetarëve kosovarë se relacioni i marrëdhënieve në mes të dy shteteve respektive nuk është ashtu siç paraqitej nga udhëheqësi i tyre, pas vendimit, siç thotë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “të pakoordinuar” me ta sa i përket ndalimit të dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Kurti, para se flisnin amerikanët, por edhe pasi dolën, insistonte se me SHBA-të “raportet janë shumë të mira” dhe se ai “i qëndron kësaj fjale”.

I pari që doli për të artikuluar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës ishte Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien – një njohës i hershëm i zhvillimeve në Ballkan – ku i bëri thirrje ekzekutivit që të tërhiqet nga vendimi për dinarin, derisa bëri me dije se ky vendim “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

“Nëse ai [Kurti] nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, thoshte O’Brien, derisa tregonte për mungesën e koordinimit për çështjen e dinarit.

James O’Brien

Sikur të mos mjaftonte O’Brien, vetëm dy ditë më pas, më 15 shkurt, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë të pazakontë për media, para objektit të ambasadës, u detyrua që ta përgënjeshtroi Kurtin, i cili kishte thënë se çështja e dinarit nuk e afekton raportin në mes të Kosovës dhe Amerikës.

Hovenier u thoshte kosovarëve se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se raporti tashmë është afektuar nga kjo situatë, meqë Kosova nuk është treguar partnere me Amerikën.

“Unë jam i shqetësuar që ka intervista që sugjerojnë që partneritet i SHBA-ve me Kosovën nuk është afektuar dhe nuk mund të afektohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë, kjo nuk është aspak e vërtetë, nuk është ky rasti. Kjo situatë veçse ka afektuar kualitetin e partneriteti tonë”, deklaronte zëri i SHBA-ve në Kosovë.

“Çdo sugjerim për të kundërtën (se nuk ka ndikim kjo situatë) tregon për një keqkuptim apo keqprezantim fondamental”, shtonte.

Jeffrey Hovenier

Përkundër këtyre deklarimeve, Kurti sërish, një ditë pas Hovenier-it, do thoshte se shteti që ai përfaqëson mbetet aleat i Amerikës.

Këtë e kishte bërë përmes një shkrimi në rrjetin social X, pas takimit që kishte pasur me disa senatorë amerikanë.

“Kënaqësi të takohemi me senatorët amerikanë Shaheen, Ricketts, Van Hollen e Chris Murphy. Fola për nevojën e llogaridhënies nga Serbia pas sulmit terrorist në Banjskë, një shqetësim që është i përbashkët. Kosova mbetet përkrahëse e demokracisë dhe aleate e SHBA-së”, kishte shkruar ai.

Por, pas kësaj, nuk do të vononte as demanti i tretë amerikan. Këtë radhë përmes të Dërguarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 23 shkurt, konsideroi se Kosova nuk është duke i trajtuar SHBA-të “si partner”, derisa ka hezituar të flasë për pasojat eventuale.

Ai vlerësoi se sjellja e Kosovës s’dërgon në stabilitet rajonal.

“Nuk dua të hyjë në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk punon me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara”, deklaroi Escobar.

Gabriel Escobar

Madje, ai citoi edhe ambasadorin Hovenier, duke u përpjekur që ta elaboroi atë që ai e tha përmes mesazheve të tij nga Prishtina.

Sipas Escobar-it, është vetë Kosova ajo që po vështirëson rrugën e saj me partnerët e tjerë – duke përfshirë edhe ato vende që se njohin.

“Mendoj se ambasadori Hovenier, e ka thënë më së miri kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-në”.

“Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve për Kosovën në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, shpjegonte Escobar.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit, së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë, posaçërisht asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore